25 ekzekutime në 29 muaj, shteti amerikan nis zbatimin e dënimeve me vdekje

Pasi kishte ndaluar ekzekutimet e dënimeve me vdekje prej vitit 2015, shteti amerikan i Oklahomës ka planifikuar të kryejë 25 ekzekutime në 29 muajt e ardhshëm, duke filluar nga gushti.

Shteti ka aktualisht 44 persona që presin të ekzekutohen dhe vendimi për të publikuar kalendarin – sipas të cilit do të ekzekutohet një person në muaj – u mor me kërkesë të prokurorit të përgjithshëm të shtetit.

Moratoriumi disavjeçar ishte vendosur për shkak se gjatë kryerjes së një ekzekutimi, përmes injeksionit, i dënuari kishte vuajtur për mbi 40 minuta para se të vdiste nga ataku në zemër. Sipas ekspertëve, kjo ndodhi për shkak të një prej përbërësve në injeksion.

Vendimi pritet të vendosë Oklahomën në qendër të debatit të dënimeve me vdekje në SHBA. Sipas disa prej avokatëve të personave të dënuar, një pjesë e mirë e tyre shpresojnë të marrin falje nga guvernatori i shtetit, pasi pretendojnë për probleme të mëdha me gjykimin e çështjeve të tyre.

Në Shtetet e Bashkuara, dënimi me vdekje është masë ligjore ndëshkuese në 27 shtete, prej të cilave vetëm në 20 nuk janë vendosur moratoriume. SHBA është shteti i vetëm perëndimor që e zbaton dënimin me vdekje dhe bashkë me Japoninë, Korenë e Jugut, Tajvanin dhe Singaporin, janë të vetmet shtete demokratike që e zbatojnë këtë praktikë./A2news/

Read Previous

Plazhet e Fierit, destinacion për qindra pushues vendas dhe të huaj

Read Next

Ronaldo te Barcelona? Në Spanjë lëshojnë “bombën” e merkatos verore