“24 vite në shërbim dhe në mbrojtje”, liderët institucional e partiak urojnë Policinë e Kosovës në përvjetorin e themelimit

Liderët e shtetit dhe ata të partive opozitare në vend kanë Policinë e Kosovës me rastin e 24-vjetorit të themelimit, duke thënë se 6 shtatori shënon moment historik.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se motoja e këtij përvjetori “24 vite në shërbim dhe në mbrojtje” e përfaqëson më së miri Policinë e Kosovës.

“Që nga gjenerata e parë policore kur filloi trajnimin me 6 shtator 1999, Policia jonë shërbeu për të gjithë qytetarët tanë duke mbrojtur jetën dhe pronën e tyre e duke ruajtur sovranitetin e vendit tonë”, ka shkruar ai në Facebook.

Mes tjerash, kreu i ekzekutivit është shprehur se si Qeveri janë zotuar për luftim të krimit, korrupsionit dhe çdo ilegaliteti që cenon sigurinë e vendit e të qytetarëve.

“Jam mirënjohës që në këtë rrugëtim prej më shumë se dy vitesh, kemi arritur suksese falë zyrtarëve policorë të përkushtuar e profesionalë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Mbi 1100 operacione të realizuara, 100 grupe kriminale të shkatërruara, mbi 2.200 kg substance narkotike të konfiskuara, 16 laboratorë të drogës të shkatërruar, janë suksese që Policinë e Kosovës e kanë renditur ndër institucionet më të besueshme për qytetarët tanë, ndërsa Republikën tonë e kanë ngritur në listat e shteteve serioze e të përkushtuara për luftimin e kriminalitetit”.

“Të gjithë zyrtarëve policor që sot janë në krye të detyrës në çdo cep të Republikës së Kosovës u uroj 24 vjetorin e themelimit të Policisë. Bashkë ndajmë sfida e suksese, bashkë do të ngrisim e forcojmë edhe më shumë shtetin tonë”, ka përfunduar Kurti.

Urime për Policinë e Kosovës ka shprehur edhe presidentja Vjosa Osmani.

“6 shtatori shënon një moment historik, të rëndësishëm në historinë e Kosovës – ditën e themelimit të Policisë së Kosovës”, ka thënë ajo në një deklaratë për media.

Sipas saj, Policia e Kosovës është shndërruar në simbol të përkushtimit, guximit dhe profesionalizmit të palëkundur për t’i shërbyer të gjithë qytetarëve, pa dallim.

“Ata janë gardianë të sigurisë sonë, të mbrojtjes së sovranitetit të Republikës. Gra e burra të Policisë së Kosovës janë kurdoherë të gatshëm për t’iu përgjigjur çdo situate, për ta ofruar ndihmën e tyre dhe për ta mbrojtur rendin dhe ligjin, ndaj një falënderim i përzemërt për secilin prej tyre! Zotimi, përkushtimi dhe profesionalizmi juaj, janë shpresë dhe garanci për qytetarët e Kosovës për një mjedis të qetë dhe të sigurt! Urime dita e themelimit të Policisë së Kosovës!”, ka theksuar Osmani.

E kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, teksa ka shprehur mirënjohje dhe nderim për secilin zyrtar policor, ka përmendur edhe sfidat dhe mungesën e mbështetjes adekuate institucionale për ta.

“24 vite më parë, u themelua Shërbimi Policor i Kosovës, që më pas u shndërrua në Polici të Kosovës, për t’i hapur rrugë mbrojtjes së qytetarëve, rendit dhe ligjit në vendin tone”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

“Përtej sfidave dhe mungesës së mbështetjes adekuate institucionale, Policia jonë mbetet ndër institucionet më profesionale dhe të përgjegjshme, që ofron shërbime e siguri për secilin qytetar të vendit tonë, pa dallim etnie”.

Ai tutje ka thënë se PDK-ja është e përkushtuar që nismën për hartimin e Projektligjit për Pensionimin e Parakohshëm të zyrtarëve të Policisë së Kosovës dhe punonjësve të Inspektoratit Policor me autorizime policore – ta dërgojë deri në fund.

“Mirënjohje dhe nderim për secilin zyrtar të Policisë së Kosovës, që me punën dhe angazhimin e pakusht të tyre ndër vite, kanë ruajtur me dinjitet vizionin, misionin dhe vlerat e këtij profesioni fisnik. Urime të gjithëve!”, ka përfunduar lideri i PDK-së.

Se shteti duhet ta ketë prioritet ofrimin e kushteve të favorshme për zyrtarët policorë ka thënë edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

Sipas tij, Policia e Kosovës është një prej sukseseve më të mëdha të shtetit dhe ky institucion konsiderohet model edhe për vendet e rajonit.

“Ata vazhdojnë të jenë shembull i integritetit dhe profesionalizmit në shërbim të komunitetit. Policia jonë, me profesionalizëm e devotshmëri po e kryen detyrën e shenjtë të ruajtjes së rendit dhe ligjit. Andaj, shteti duhet ta ketë prioritet ofrimin e kushteve të favorshme, në raport me kompleksitetin e detyrave që kryejnë. Mirënjohës të gjithë pjesëtarëve të Policisë, për shërbimin ndaj Atdheut. Kujtojmë me nder e respekt ata që ranë në krye të detyrës”, ka shkruar Haradinaj në Facebook. /Telegrafi/

Read Previous

BKS: 35,6 milionë euro dëme u paguan vetëm për 6 muaj

Read Next

KH “Shqiponja” vazhdon të përgatitet për fillimin e sezonit 2023/2024 në hendboll