24 orët dramatike – Nga kërcënimi për bombardime të reja deri te zgjatja e armëpushimit SHBA-Iran

Dy ditët e fundit u përcollën me zhvillime të papritura lidhur me konfliktin në Lindjen e Mesme. 

Të martën ishte dita e fundit e armëpushimit gati dy-javor mes SHBA-së dhe Iranit, teksa presidenti amerikan, Donald Trump, kishte kërcënuar se nëse Irani nuk arrinte marrëveshje, ai priste që “të vazhdohej me bombardime”.

E gjitha kjo ndryshoi me një postim në orët e vona të së martës me kohë të Kosovës, nga presidenti Trump, përmes të cilit njoftonte se do ta zgjaste armëpushimin derisa Teherani të mund të paraqiste një “propozim të unifikuar” për të çuar përpara negociatat e paqes.

Çka ndodhi tjetër brenda 24 orëve të fundit: 

Pritej që zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance dhe pjesa tjetër e ekipit negociator amerikan të shkonin në Islamabad për bisedime me homologët e tyre iranianë. 

Ndërkohë, Irani ende nuk kishte vendosur nëse do të dërgonte një delegacion në Pakistan për bisedime me SHBA-në, sipas një zëdhënësi të ministrisë së Jashtme iraniane.

Ambasadori i Iranit në OKB, Amir Saeid, tha se Teherani kishte marrë disa shenja se SHBA-ja ishte gati të përfundonte bllokadën e porteve iraniane, duke shtuar se rundi tjetër i negociatave do të zhvillohej vetëm kur kjo të ndodhte.

Mirëpo, në një intervistë me CNBC, Donald Trumpi tha se Irani “nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të dërgojë” delegatë në Pakistan, duke shtuar se ai “pret të bombardojë” nëse nuk arrihet përparim.

Pastaj, pa asnjë shenjë se delegacioni amerikan po nisej për në Islamabad, situata ndryshoi papritur kur mediat raportuan me burime se Vance kishte pezulluar udhëtimin e tij drejt Islamabadit dhe se zyrtarët më të lartë amerikanë po mblidheshin në Shtëpinë e Bardhë për të marrë një vendim se si të vazhdohej më tutje.  

Pas kësaj, Trumpi njoftoi se do të zgjaste armëpushimin dhe do të vazhdonte bllokadën e marinës amerikane të porteve iraniane derisa udhëheqësit e Iranit të mund të paraqisnin një “propozim të unifikuar” dhe diskutimet të përfundonin.

Trumpi ka thënë se vendimin e kishte marrë me kërkesë të Pakistanit, kryeministri i të cilit më pas e falënderoi për këtë veprim.

Shtëpia e Bardhë po ashtu konfirmoi se udhëtimi i Vance në Pakistan për negociata paqeje është anuluar.

Sekretari i Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent, ka thënë se zgjatja e bllokadës detare amerikane do të vazhdonte “të degradonte sistematikisht aftësinë e Teheranit për të gjeneruar, lëvizur dhe riatdhesuar fonde”.

E ndërsa ka pasur disa postime në mediat sociale nga zyrtarët iranianë, nuk ka pasur asnjë përgjigje zyrtare nga Teherani./koha.net

Read Previous

Fenerbahçe planifikon ndryshime të mëdha në skuadër: 17 lojtarë në listën e largimeve

Read Next

Takimi me ambasadorin amerikan në NATO, Kurti: Bashkëpunimi me SHBA-në, kyç për sigurinë