SHBA-ja refuzon rinovimin afatgjatë të marrëveshjes tregtare me Kanadanë dhe Meksikën
36 vjet më parë, më 2 korrik 1990, mijëra shqiptarë hynë në përfaqësitë diplomatike perëndimore në Tiranë, duke i dhënë goditjen e parë, të fortë, regjimit komunist në vend, që do të pasohej disa muaj më vonë nga lëvizja e dhjetorit.
Fenomeni i thyerjes së perimetrit të sigurisë së ambasadave të huaja në Tiranë dhe hyrja në to e qytetarëve shqiptarë shënoi fillimin e asaj periudhe, që më vonë u quajt “eksodi i madh”.
Më 2 korrik 1990, Ylli Bodinaku, me një kamion tip “Skoda”, çau murin rrethues të ambasadës gjermane në Tiranë. Ky episod, që u pasua nga hyrja e një grupi qytetarësh në territorin e ambasadës, u konsiderua si një nga fillimet e kësaj lëvizjeje.
Në ditët në vijim, në disa ambasada të tjera perëndimore u strehuan qindra qytetarë shqiptarë.
Ambasadori gjerman Werner Daum, ashtu si edhe përfaqësues të tjerë diplomatikë të vendeve perëndimore, lejuan që qytetarët shqiptarë të “strehuar” në ambasadat e tyre, të qëndronin brenda territorit të këtyre ambasadave për një periudhë të kufizuar, në pritje të zgjidhjeve diplomatike.
Këto zhvillime u pasqyruan gjerësisht nga media ndërkombëtare dhe krijuan premisat e ndryshimeve të rëndësishme politike, që do të ndodhnin në vend, në muajt pasues /ATSH/