18 të vdekur nga vërshimet në Oman

Reshjet e dendura të shiut i goditën Emiratet e Bashkuara Arabe të martën, duke vërshuar disa pjesë të autostradave të rëndësishme dhe duke lënë automjete të braktisura rrugëve të Dubait. Ndërkohë, numri i të vdekurve nga vërshimet në Oman ka shkuar në 18, ndërsa disa të tjerë janë ende të zhdukur.

Reshjet nisën gjatë natës, duke shkaktuar mbledhje të mëdha uji rrugëve, ndërsa era u shkaktoi pengesa fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Dubait, më i ngarkuari në botë për udhëtime ndërkombëtare, raporton agjencia “Associated Press”.

Personeli i sigurisë dhe emergjencave i lëvizi veturat ngadalë nëpër rrugët e vërshuara. Në qiell u pa rrufeja, kohë pas kohe duke e prekur majën e ndërtesës më të lartë në botë, Burj Khalifa.

Një pjesë e madhe e shkollave në Emirate të Bashkuara u mbyllën para stuhisë dhe një pjesë e punëtorëve qeveritarë po punonin nga shtëpia.

Shiu është i pazakonshëm në Emirate të Bashkuara, shtet që shtrihet në zonën e thatë të Gadishullit Arabit, por ndodhë kohë pas kohe gjatë muajve më të freskët të dimrit. Shumë rrugëve dhe zonave të tjera u mungon sistemi i kanalizimit për shkak të mungesës së rregullt të reshjeve, duke shkaktuar vërshime.

Sipas vlerësimeve fillestare, mbi 30 milimetra shi ranë gjatë mëngjesit në Dubai, ndërsa deri në 128 milimetra priten gjatë ditës.

Reshje shiu pati edhe në Bahrein, Katar dhe Arabi Saudite.

Në Omanin fqinj, të paktën 18 persona kanë vdekur nga reshjet e dendura të shiut ditëve të fundit, sipas një deklarate të publikuar të martën nga Komiteti Kombëtar për Menaxhimin e Emergjencave. Në këtë shifër përfshihen rreth dhjetë nxënës që u morën me vete nga uji në një automjet me një të rritur./AlsatM

Read Previous

Nesër do të jetë ditë zie shtetërore në Kosovë

Read Next

Ukraina ia rrëzon nëntë dronë Rusisë