Kurti e Rama ‘bashkë’ në Forumin e Bledit në Slloveni

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama do të jenë në Slloveni më 28 dhe 29 gusht, të ftuar në Forumin Strategjik Bled.

Të dy do të jenë folës në panelet e forumit dy ditor që zhvillohet në qytezën turistike pranë liqenit të Bledit.

Ky forum do të mundësojë ndoshta një takim mes Ramës dhe Kurtit pas krisjes që erdhi si pasojë e anulimit të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive nga ana e kryeministrit Edi Rama që ishte parashikuar të mbahej më 14 Qershor në Gjakovë. Gjithashtu ndikuan edhe kritikat publike të Ramës ndaj qeverisë në Prishtinë në lidhje me përplasjet me Serbinë për situatën e tensionuar në veri të Kosovës.

Në shenjë “hakmarrje” Kurti kushtëzoi takimin me Kryeministrin Rama si pjesë e turit të tij ballkanik, duke theksuar se më parë duhet të bëhej mbledhja e dy qeverive. Ndonëse Rama firmosi marrëveshjet e parashikuara për t’u nënshkruar në mbledhjet e dy qeverive në Prishtinë, Kurti sërish refuzoi takimin me të në kuadër të turit ballkanit.

Refuzimi i dytë i Kurtit ndaj Ramës erdhi edhe më 17 Korrik duke mos marrë pjesë në një takim informal krerët e Ballkanit Perëndimor të organizuar në Tiranë. Ndonëse do të jenë shumë afër, nuk dihet nëse do të ketë një takim “kokë më kokë” mes Ramës dhe Kurtit në Slloveni.

Forumi Strategjik Bled është një “platformë globale për gjenerimin e ideve dhe shkëmbimin e pikëpamjeve mbi shoqërinë bashkëkohore dhe të ardhmen e saj.

Në forumin strategjik të Bled-it do të marrin pjesë krahas Kryeministrave Rama e Kurti edhe Presidenti serb Vuçiq, Kryeministri maqedonas Kovaçevski si dhe Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel. 

/Gazeta Express/

Read Previous

Shkëmbim me armë zjarri mes policisë dhe një të dyshuari për kontrabandë në veri

Read Next

Policia e Kosovës vazhdon identifikimin e mjeteve të pa regjistruara përmes pajisjeve inteligjente