14 aksidente trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

Numri i madh i aksidenteve në trafik po vazhdon të jetë shqetësues. Çdo ditë raportohet për aksidente të shumta në komunikacion dhe në të shumtën e rasteve shkaktohen si pasojë e pakujdesisë së shoferëve gjatë vozitjes, duke rrezikuar kështu jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve tjerë në trafik.

Sipas raportit të Policisë, vetëm brenda 24 orëve të fundit janë regjistruar 14 aksidente me të lënduar, ndërkohë që Sinjali ka mësuar detaje për disa prej tyre.

Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në fshatin Livoq i Epërm ka ndodhur një aksident, ku si pasojë janë lënduar dy persona. Burime të Sinjalit njoftojnë se deri te aksidenti dyshohet të ketë ardhur për shkak se shoferi i njërës veturë kishte hyrë në tejkalim në vijë të plotë dhe është ndeshur drejtpërdrejtë me veturën që po vinte nga ana e kundërt.

Dy të lënduarit janë dërguar në spital, madje njëri prej tyre pas marrjes së ndihmës së parë në Qendrën Emergjente në Gjilan është transferuar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm.

Ndërkohë shoferi që dyshohet se shkaktoi aksidentin është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Një tjetër aksident trafiku ka ndodhur pak minuta më vonë në fshatin  Stanofc i Epërm në Vushtrir, ku një veturë ka goditur një vajzë 11-vjeçare. Si pasojë e aksidentit e mitura është dërguar në Emergjencën e Spitalit të Vushtrrisë.

Po ashtu në rrugën rajonale Pejë – Mitrovicë, saktësisht në Shipol, një veturë ka goditur një këmbësore. Deri te aksidenti dyshohet të ketë ardhur për shkak të pakujdesisë së shoferit i cili ka goditur 19-vjeçaren që po kalonte rrugën. Për shkak të lëndimeve të marra në aksident, e reja është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Mitrovicës për trajtim mjekësor.

/GazetaSinjali/

Read Previous

​Papunësia në Eurozonë ka rënë në 6.5% në tetor

Read Next

Rama: Ballkani i Hapur është në përputhje të plotë 100 për qind me BE-në