Autoritetet greke arrestuan 13 persona të shtunën pasi fishekzjarrët e nisura nga një jaht ndezën një zjarr në pyll në një ishull pranë Athinës, ndërsa vendi po përballet me një sezon të ri të zjarreve vdekjeprurëse të verës.
Kryebashkiaku i ishullit të Hidrës shprehu “zemërim” pasi zjarri u ndez vonë të premten. Ai u zotua për veprime ligjore kundër atyre që janë përgjegjës, raporton The Guardian.
Dhjetëra zjarre në Greqi këtë javë kanë lënë të vdekur të paktën një person.
“Zjarri i fundit u shkaktua nga fishekzjarrët e lëshuar nga një varkë dhe dogji pyllin e vetëm me pisha në ishull, në një vend që është i vështirë për t’u qasur dhe nuk ka rrugë”, ka bërë të ditur ekipi i zjarrfikësve të Hidrës në Facebook.
Trembëdhjetë persona të akuzuar për përfshirje në rastin me fishekzjarrë janë arrestuar pas një hetimi të shërbimit zjarrfikës, dhe do të paraqiten para prokurorit të dielën, thuhet në një deklaratë të shërbimit zjarrfikës.
Vizitorët në Greqi duken të keqinformuar për rrezikun e valës së të nxehtit, paralajmërojnë ekipet e shpëtimit. Nuk janë dhënë detaje për të dyshuarit.
Greqia ka ashpërsuar dënimet e saj për zjarrvënie, dhe tani autorët përballen me 20 vjet burgim dhe gjoba deri në 200,000 euro.
Në krye të thirrjes për veprime ligjore kundër njerëzve “të papërgjegjshëm” pas fishekzjarrëve, kryetari i bashkisë së Hidrës, Giorgos Koukoudakis i ka thënë transmetuesit publik ERT se autoritetet duhej të krijonin më shumë zona kundër zjarrit dhe rrugë nëpër pyje./Koha.net