1 muaj kohë për konvertimin e targave në RKS, si është situata?

Kanë kaluar 31 ditë dhe numri i serbëve të cilët kanë përfillur kërkesën e Qeverisë së Kosovës për të konvertuar targat e tyre ilegale në ato RKS, mbetet një shifror.

Serbët e Kosovës duke filluar nga 1 shtatori kanë pasur dy muaj kohë, për t’i konvertuar targat e tyre ilegale me akronime si KM, PZ, e të tjera, në ato RKS.

Një gjë të tillë e kishte konfirmuar vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një paraqitje para gazetarëve, ku ftoi të gjithë qytetarët serb ta shfrytëzojnë këtë mundësi, kështu duke u liruar edhe nga detyrimi i pagesës së TVSH-së, akcizës e doganës.

Megjithatë deri më tani 9 persona kanë zgjedhur ta dëgjojnë Albin Kurti, kështu duke i konvertuar targat e tyre, ku 7 prej tyre janë të nacionalitetit serb.

“Veturat janë riregjistruar në katër qytete të ndryshme, një në Prishtinë, tre në Mitrovicë, dy në Prizren dhe tre në Gjilan”, tregon Ministria e Punëve të Brendshme.

Por, çfarë do të ndodhë me veturat të cilat nuk do të kenë regjistrime RKS pas 31 tetorit?

Sipas Ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, të gjitha veturat të cilët pas 31 tetorit do të mbeten në targa ilegale nuk do të mund të lëvizin në territorin e Kosovës.

“Veturat të cilat nuk do të regjistrohen me targa RKS deri më 31 tetor do të konsiderohen vetura të paregjistruara”, pati deklaruar Sveçla.

Për çështjen në fjalë ishte thënë se janë dhënë disa opsione në takimin e 18 gushtit në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç’it.

Njëri nga modalitetet që u propozua në tavolinën e bisedimeve në Bruksel, ishte ajo e rikthimit në qarkullim të targave neutral “KS”, si opsion për serbët të cilët nga 1 shtatori duhet t’i konvertojnë tabelat ilegale me akronime “KM” në ato “RKS”.

Megjithatë, i pari i ekzekutivit një propozim të tillë, e kishte refuzuar në mënyrë të prerë.

“Opsionet për targa neutrale, kanë qenë opsione në Bruksel nga ndërmjetësi Lajçak, mirëpo unë nuk e di se kush ja ka dhënë idenë, por njëkohësisht e kam shprehur shqetësimin tonë se nuk janë të pranueshme”, pati deklaruar Kurti.

Ndryshe Lajçak, në një intervistë për Euronews, edicioni në gjuhën serbe, pati konfirmuar se BE-ja për këtë çështje ka dhënë disa ide konkrete palëve, të cilët duhet të zgjedhin njërin nga modalitetet.

“Vendimi i qeverisë në Kosovës është që procesi të përfundojë deri në fund të tetorit. Pra kemi dy muaj kohë për të gjetur një zgjidhje. Tashmë jemi në atë proces. Ne ishim në telashe për dokumentet hyrëse-dalëse. Për targat kemi të paktën dy muaj kohë për t’i zgjidhur, besoj se do të gjejmë një zgjidhje”, kishte thënë Lajçak.

Kryediplomati sllovak përpos që kishte konfirmuar se pala kosovare kishte pranuar periudhën dymujore për konvertimin e targave, pati deklaruar se nuk pret përshkallëzim të situatës për këtë çështje.

“Regjistrimi fillon më 1 shtator dhe duhet të zgjasë dy muaj. Nuk pres ndonjë dramë më 1 shtator. Nuk ka arsye për këtë, ne kemi periudhën dy mujore për të gjetur një zgjidhje, siç e kemi gjetur në lidhje me kartat e identitetit”, pati thënë më tej Lajçak. /Albanianpost.com

Read Previous

Kissinger: Rusia e ka humbur luftën, tani duhet parandaluar përshkallëzimin bërthamor

Read Next

Liqeni i Ohrit pasurohet me rreth 2 milionë rasat korani