​Vrasja e Liridona Ademajt, u vazhdohet për dy muaj paraburgimi tre të dyshuarve

Tre të dyshuarve në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, Naim Murseli, Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava, i është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj.

Lajmin e ka konfirmuar Mirlinda Gashi, zëdhënëse në Gjykatën Temelore në Prishtinë.

“Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve N.M, G.P, dhe K.K, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë, ashtu që tre të pandehurve iu vazhdohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej dy muaj, për secilin. Masa e paraburgimit të pandehurve iu është vazhduar nga data 31.12.2023 deri më datë 29.02.2024”.

Rasti i Liridona Ademajt është ndër më të rëndit që ka ndodhur paslufte në Kosovë. Për vrasjen e saj është arrestuar edhe ish-bashkëshorti, Naim Murseli.

Naim Murseli, dyshohet se porositi vrasjen e gruas së tij Liridonës, duke i premtuar 30 mijë euro Granit Plavës që ta kryente vrasjen. Ndërsa, i arrestuari tjetër në këtë rast, Kushtrim Kokalla dyshohet për marrëveshje për të kryer veprën penale vrasja e rëndë. /KosovaPress/

Read Previous

Si mund të shkatërrojë Irani ekonominë globale

Read Next

Rritet numri i rasteve me kancer në Kosovë