​Skandali i kurdisjeve në futboll, Ademi paralajmëron ashpër klubet dhe gjyqtarët

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka reaguar për herë të parë pas skandalit të kurdisjeve që preku Ligën e Parë ku ishin të përfshira Ulpiana dhe Vllaznia e Pozheranit.

Në një intervistë për KosovaPress, i pari i FFK-së ka thënë se institucioni që ai drejton do të jetë i pa kompromis ndaj të gjitha palëve që në një mënyrë apo tjetër kërcënojnë integritetin e garave në futboll dhe se dënimet do të jenë shumë të ashpra.


“Në fakt nuk është vendim i këndshëm dhe nuk merret me dëshirë kur ka raste të tilla sepse Federata e Futbollit nuk është këtu për t’i dëmtuar klubet dhe nuk i dëmton kurrë, por është strikt për ta mbrojtur integritetin e garave dhe t’i mbrojë garat. Sepse ne kemi thënë në fillim dhe është e natyrshme që edhe për të shkuar prej lige duhet të shkoj ai që e meriton të shkoj prej lige edhe për t’u bërë kampion ai që e meriton të bëhet kampion. Normalisht ne do ta ndjekim këtë kurs deri në fund, përndryshe ne nuk e dimë atëherë kualitetin dhe nivelin profesional të futbollit tonë. Rasti i kësaj ndeshje është cilësuar si ndeshje e kurdisur dhe normalisht kur cilësohet e tillë janë sanksionet dhe këto sanksione kanë ardhur nga komisionet”, tha Ademi.

Vendimi për përjashtimin e të dy klubeve nga Komisioni i Garave i cilësua nga shumë njohës të futbollit si i ngutshëm, por Ademi ka një përgjigje të prerë për këtë çështje.

“Pse a nuk i keni parë ju? A nuk e merrni ju për bazë deklaratën e futbollistëve, nuk i merrni ato? Apo nuk i merrni edhe incizimet, nuk i merrni edhe mesazhet. Tani duhet realisht futbollin me e mbrojt dhe realisht edhe klubet kur është nevoje me i mbrojt, por duhet në realitet të veprojmë në këto çështje…Kjo është e ditur prej të gjitha klubeve, sepse nuk tolerohen fiksimet ose lëshimet e ndeshjeve, apo edhe kurdisjet e ndeshjeve, nuk tolerohen askund në botë”, nënvizoi Ademi.

Më tutje Ademi ka folur edhe për ankesat e disa klubeve mbi gjyqtarët për shkak të disa pretendimeve se ata me vendimet e tyre po ndikojnë në rezultatet e ndeshjeve duke thënë se nëse ka gjyqtar që qëllimisht e dëmtojnë një skuadër, ata do të përjashtohen nga organizata e gjyqtarëve.


“Nuk them që nuk gabojnë dhe nuk dëmtojnë referët, ka ndodhur që kanë dëmtuar, pro me qëllim nëse kapet cili refer e dëmton, normalisht që sanksionet janë edhe për referët deri në përjashtim nga organizata e referëve. Sigurisht që dalja e foljes së njerëzve se federata ka ndikim, është shorti, kush të bie në short, e kanë të drejtën të vijnë dhe të monitorojnë shortin secili klub. Këto logjikat që e vendosin fajin tek referët apo te federata për mos-suksesin e tyre janë tek njerëzit të cilët janë të cekët dhe sigurisht nuk duhet të vihet ën dyshim kjo punë sepse federata i ka bërë të gjitha gjërat e mundshme vetëm për të qenë sa më konkret dhe sa më sigurt klubet dhe njëkohësisht edhe organet tona. Nuk ka asnjë gjë më të pastër se shorti, ai i cili të bie, nuk ka shans në short asnjë njeri ta vendosë dikë siç po flitet”, vazhdoi më tutje i pari i FFK-së.

Por, i pari i FFK-së është shprehur i bindur se gjyqtarët në Kosovë janë tejet kualitativë dhe se secili prej tyre ka kaluar të gjitha fazat përgatitore për të ndarë drejtësinë në elitën e futbollit kosovar.


“Ai i cili i ka dhënë provimet dhe ai i cili është vlerësuar të jetë në Superligë, nuk mund t’i themi është gjyqtar pa përvojë ose gjyqtar i dobët. Ai aty e tregon vetën, nëse është i dobët nuk futet në listë dhe nuk mund të paragjykojmë ne që ky është i dobët ose ky është i mirë, secili fillon nga diku dhe ata të cilët vijnë në Superligë nuk vijnë pre qielli drejt në Superligë, por sigurisht ka qenë tek të rinjtë, në Ligën e Dytë, në Ligën e Parë pastaj vjen i jep provimet dhe gradohet për Superligë” , deklaroi në fund Ademi.

Përtej këtyre problematikave, Ademi ka vlerësuar se futbolli i Kosovës po vazhdon me rritjen e nivelit të cilësisë ndërsa në këtë drejtim do të ndihmojë edhe më shumë infrastruktura sportive në të cilën po punohet me përkushtim shumë të madh. /KosovaPress/

Read Previous

Kurti deklaron pasurinë: Në bankë i ka veç 1.551 euro

Read Next

Votimi në veri, KQZ: 1,461 votues më shumë se në zgjedhjet e mbajtura më 23 prill 2023