​Shoqata e shpediterëve të Kosovës pranohet në FIATA

Shoqata e shpediterëve vendor dhe ndërkombëtar të Kosovës (SHSHVN) është pranuar si anëtare me të drejta të plota në FIATA – Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Shpediterëve.

“Falë angazhimeve të vazhdueshme e të gjata, SHSHVN ka arritur një sukses të madh duke siguruar anëtarësimin, si anëtare me të drejta të plota, në FIATA“, ka njoftuar Kryetari i Shoqatës, Jeton Vokshi.

Sipas njoftimit, shoqata ka arritur që të anëtarësohet, si anëtare mysafire për një periudhë fillestare, në Shoqatën e Shpediterëve të Evropës Juglindore (SEEFF), përkundër kundërshtimit nga ana e Shoqatës së shpediterëve të Serbisë.

Me këtë të arritur, eliminohen shumë pengesa e barriera që kanë vuajtur prodhuesit dhe transportuesit kosovar por edhe krijohen mundësi për bashkëpunim me organizatat simotra dhe me organizata ndërkombëtare që promovojnë dhe mbrojnë interesin e kësaj industrie.

Për më tepër, anëtarësimi në FIATA i hap rrugë anëtarësimit edhe në organizata tjera që ndihmojnë transportin e mallrave nga Kosova dhe nëpër Kosovë.

Menjëherë SHSHVN është ftuar që të marrë pjesë në konferencën e radhës të FIATA-s që do të mbahet në Sofje të Bullgarisë.

Shoqata e shpediterëve vendor dhe ndërkombëtar të Kosovës (SHSHVN), është shoqatë e agjencioneve doganore profesionale, kompanive shpeditere dhe logjistike, e krijuar në vitin 2005 nën ombrellën e Odës Ekonomike të Kosovës dhe aktualisht ka 354 anëtarë./KP/

Read Previous

Detajet në mes miqësores së Shqipërisë dhe Arabisë Saudite

Read Next

Drita përforcon vendin e parë, Prishtina mposht Ferizajn