​Regjistrimi i popullsisë, ja çfarë përfiton ekonomia e Kosovës

Regjistrimi i popullsisë që ka filluar këtë muaj në Kosovë, është një proces i numërimit të gjithë banorëve dhe i mbledhjes së informatave demografike, ekonomike, sociale, arsimore, bujqësore dhe informatave të tjera për secilin person. Drejtues të Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe njohës të ekonomisë thonë se vendi ka nevojë për evidencë të mirëfilltë të qytetarëve dhe nga ky regjistrim presin të ketë përmirësim në aspektin ekonomik në vend, hartim të politikave më efektive në investime e po ashtu edhe realizim të të drejtave të qytetareve.

Ushtruesi i detyrës së kryshefit ekzekutiv në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati thotë se nga regjistrimi i popullsisë përfitojnë të gjithë individët dhe institucionet, e po ashtu mblidhen edhe shumë indikator të rëndësishëm për gjithë territorin e vendit.

Kastrati, derisa ka bërë thirrje gjithë qytetarëve të regjistrohen, ka shtuar se nga ky regjistrim të dhënat do të jenë më të freskëta dhe do ju ndihmojnë institucioneve në aspekte të ndryshme.

Kastrati: Nga regjistrimi i popullsisë përfitojnë të gjithë, individët, institucionet dhe Kosova

“Nga regjistrimi i popullsisë përfitojnë të gjithë, edhe individët, institucionet dhe Kosova, sepse të njëjtën kohë grumbullohen shumë indikator për gjithë territorin e vendit dhe në nivelin më të vogël të mundshëm. Në Kosovë niveli më i ultë organizativ janë vendbanimet. Nëse ka një projekt, apo parashikim, një donacion për një vendbanim krejtësisht të vogël janë të dhënat e freskëta dhe komplete. Andaj, regjistrimi i popullsisë është shumë i rëndësishëm për çdo institucion…Është një skanim i gjendjes, në aspektin social ekonomik, sikur kushtet e jetesës, të banimit, papunësia, varfëria, shëndeti, çështjet e lëvizjes së popullsisë brenda ditës me çfarë shërbehen. Pra ka shumë pyetje, dhe disa të bujqësisë”, thotë Kastrati.

Se regjistrimi i popullsisë është i rëndësishëm dhe përmirëson ekonominë e vendit, e thotë edhe njohësi i ekonomisë, Besnik Avdija. Sipas tij, kjo ndihmon edhe investitorët e huaj që të hartojnë politika më efektive në kuptim të investimeve dhe planifikimeve afatgjate në vend.

Avdija: Regjistrimi i popullsisë ndihmon investitorët e huaj që të hartojnë politika më efektive

“Regjistrimi i popullsisë para së gjithash ndihmon institucionet vendore, por edhe investitorët e huaj që të hartojnë politika më efektive në kuptim të investimeve dhe të planifikimeve afatgjate në vend…00:36 Po ashtu i ndihmon institucioneve në vendimmarrje, në politik bërje për shkak se ju ofron një pasqyrë më reale të gjendjes në vend, në kuptim të ndryshimeve demografike, të lëvizjeve të migrimit të brendshëm, në kuptim të ekonomive familjare, nivelit të zhvillimit të tyre. Tani që po diskutohet që do të përfshihen edhe informatat mbi dëmet e shkaktuara gjatë luftës së fundit në Kosovë. Të gjitha këto kur të mblidhen dhe analizohen ndihmojnë që projektet dhe programet e intervenimeve dhe programet me qëllim të zhvillimit, qoftë në zona lokale, në zona më rurale, periferike apo zhvillimin urban të qendrave kryesore në vend, do t’i ndihmojë institucionet kur hartojnë këto plane dhe të kenë efekt me të prekshëm dhe kosto më të ulët ekonomike”, thotë Avdija.

Në anën tjetër, profesori universitar, Mazllum Baraliu thotë se vendit i ka munguar një evidencë e mirëfilltë e qytetarëve, derisa shton se refuzimi që mos të regjistrohet dikush sjell vetëm dëme dhe asnjë dobi.

Baraliu: Refuzimi që mos të regjistrohet dikush sjell vetëm dëme dhe asnjë dobi

“Përfiton shumë. Në radhë të parë evidencën e mirëfilltë të qytetarëve për të gjitha nevojat e institucioneve dhe shtetit, por të njëjtën kohë edhe për nevojat e qytetarëve dhe realizimin e të drejtave të tyre. Përfitohet, sepse varësisht nga numri i banoreve në një zonë, komunë, rajon, edhe buxheti vjetor i komunave, rajoneve përkatëse ndahet nga buxheti shtetëror. Dhe sa më pak banor, aq më pak buxhet. Pastaj realizimi i të drejtave, është diçka që në qoftë se nuk regjistrohesh faktikisht zyrtarisht, nuk ekziston individi i caktuar, nuk është banor aty dhe për rrjedhojë mund të ketë edhe mungesë të realizmit të të drejtave të caktuara, të granteve, benifteve, të subvencioneve e me radhë. Pra, benefitet ekonomike dhe sociale janë të shumta, ndërkaq refuzimi që mos të regjistrohet dikush sjell vetëm dëm dhe asnjë dobi”, thotë Baraliu.

Regjistrimi i popullsisë ka filluar me datën 5 prill dhe pritet të zgjasë deri me 17 maj në të gjithë vendin.

Në regjistrimin e popullsisë po ashtu do të përfshihet edhe një pyetësor, i cili iu mundëson qytetarëve të deklarohen edhe për dëmet që u ka shkaktuar lufta e fundit në Kosovë.

Ndërkaq, regjistrimi i fundit në Kosovë ka qenë 13 vjet më parë, më 2011.  /Botasot/

Read Previous

Oficeri i FSK-së përfundon me sukses trajnimin për Ranger në ShBA

Read Next

Suedia, liga e parë në top 30-shen e Evropës që refuzon VAR-in