​Regjistrimi i krimeve dhe dëmeve nga lufta, kërkohet nga qeveria ta padisë Serbinë

Dëmet e luftës së fundit në Kosovë konsiderohen të jenë të mëdha si në njerëz ashtu edhe në ekonomit, të cilat në bazë të vlerësimeve të deritanishme janë mijëra të vrarë, e miliarda dëme në ekonomitë familjare dhe ndërmarrje të shkatërruara.

Në bazë të disa hulumtimeve nga organizata të ndryshme në vend numërohen përafrisht mbi 13 mijë banorë civil të vrarë, prej tyre 1 mijë e 393 janë fëmijë, ndërkaq mbi 20 miliardë euro janë dëme materiale.

Njohës të kësaj çështje vlerësojnë se pas grumbullimit të këtyre informacioneve në mënyrë të saktë pas procesit të regjistrimit të popullsisë të nisur këtë muaj, në kuadër të së cilës do të regjistrohen edhe dëmet në njerëz dhe ato materiale, Qeveria e Kosovës duhet të padisë shtetin serb për të gjitha krimet makabre që ka bërë. Ata derisa thonë se presin rezultate pozitive në këtë drejtim, shprehen të shqetësuar se gjeneratat e reja mund të mos kenë njohuri të shumta rreth dëmeve që ka shkaktuar Serbia ndaj shtetit tonë.

Megjithatë, shprehen se këto të dhëna duhet të prezantohen edhe tek opinioni botëror, pasi sipas tyre, kjo çështje është pak e njohur tek ata.

Studiuesi i arkivistikës, Jusuf Osman thotë se sipas evidencës që ka bërë janë të vrarë mbi 13 mijë banorë civil, prej tyre mbi 1 mijë e 300 fëmijë. Sipas ti, kjo është dëshmia më e mirë për krimet makabre që ka bërë Serbia ndaj Kosovës.

Ai derisa tregon se ka mjaft dëshmi, thotë se janë rrënuar më se 1 milion shtëpi, mandej në 1 mijë e 100 vendbanime në Kosovë që janë prek nga dhuna dhe terrori.

Osmani derisa shprehet i shqetësuar që të rinjtë mund të mos i dinë dëmet që ka shkaktuar lufta fundit, thotë se sipas hulumtimit të bërë, komuna e Skenderaj ka më së shumti viktima në vend.

Ndërsa, themeluesi i Institutit për Kërkim Zhvillimor “Riinvest”, Muhamet Mustafa, thotë për KosovaPress se në aspektin e kërkesave ndaj Serbisë, kjo çfarë deklarojnë njerëzit mund të mos jetë shumë relevante, mirëpo konsideron se shteti ynë duhet të punojë më shumë në mënyrë që të paraqesë të vërtetën e gjenocidit serb të bërë në Kosovë.

Sipas tij, në këto dëme duhet të përfshihen edhe pagat e humbura, shkatërrimi i sistemit buxhetor, pensionet, pra të gjitha aspektet që janë vlerësuar edhe më herët nga ekspertet tjerë në këtë drejtim. 

Mustafa thotë se pavarësisht se në marrëveshjen e Ohrit nuk janë trajtuar këto çështje, konsideron se kjo nuk do të thotë që Kosova nuk ka mundësi që t’i kërkojë këto zhdëmtime.

Drejtori i Agjencisë së Statistikave në Kosovë, Avni Kastrati thotë se në pyetësor përfshihen ato dëme që janë shkaktuar në objekte fizike dhe në njerëz. Sipas tij, këto pyetje është dashur të bëhen në vitin 2011 pasi të dhënat kanë qenë më të freskëta.

 Për herë të parë në Kosovë do të regjistrohen tani edhe dëmet dhe krimet e shkaktuara nga lufta e fundit në vend nga forcat serbe.

Kujtojmë se, në nëntor të 2023-tës, ekzekutivi në Kosovë themeloi Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.

Në bazë të ligjit, Instituti duhet t’i trajtojë disa lloje krimesh, shembull krimet kundër njerëzimit, krimet ekonomike, krimet ushtarake, krimet psiko-sociale dhe ato të bëra në ambient.

Ndërkaq, në raport citohet një sondazh i Zyrës së Komisionarit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), sipas të cilit, pothuajse 40 për qind e të gjitha shtëpive të banimit në Kosovë ishin dëmtuar rëndë ose ishin shkatërruar plotësisht.

Në një raport të shtatorit të vitit 1999, të përpiluar prej Komitetit për Çështje Ekonomike dhe Zhvillim të Këshillit të Evropës, përmendet se organizatat atëbotë aktive në Kosovë vlerësonin që mbi 120.000 objekte banimi ishin bërë të pabanueshme.

Sipas raportit të HRË-së, ngjashëm pësuan edhe shkollat dhe xhamitë: “Sipas vlerësimeve të OKB-së, në Kosovë janë dëmtuar 649 shkolla – më shumë se një e pesta e shkollave të inspektuara janë dëmtuar për mbi 60 për qind ose janë shkatërruar plotësisht”.

Shumë dëshmitarë janë cituar të kenë thënë se forcat serbe u kishin grabitur gjëra me vlerë, përfshirë unazat e martesës e automjetet, dhe se i kishin kërcënuar me jetë nëse nuk do t’ua dorëzonin të gjitha paratë që i kishin.

Lufta besohet se ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm psikologjik dhe emocional, se ka kthyer tejet mbrapa zhvillimin ekonomik, se i ka penguar investimet e huaja, se ka shkaktuar jostabilitet politik dhe tensione sociale. /KosovaPress/

Read Previous

Kryediplomati grek: Greqia do të abstenojë në kërkesën e Kosovës për KiE

Read Next

Protesta e dhunshme para bashkisë së Tiranës, tre të arrestuar