​Qeverisë Kurti i kërkohet zgjidhje kreative për Asociacionin

Refuzimi i tërësishëm i themelimit të Asociacionit të komunave serbe në Kosovë nuk po konsiderohet veprim i zgjuar për vendin. Njohësit e procesit të dialogut Kosovë-Serbi, kërkojnë nga Qeveria Kurti të gjejë një zgjidhje kreative, në përputhje me Kushtetutën për të propozuar themelimin e tij. Në këtë mënyrë, sipas tyre, presioni bie mbi palën serbe dhe zgjidhet ngërçi i dialogut, pasi siç thonë, Serbisë po i leverdisë zvarritja e këtij procesi.

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) thotë për KosovaPress se vendi duhet të jetë i gatshëm për formimin e Asociacionit.

Vetëm në këtë formë, ajo thotë se do të shpërfaqet fakti se Serbia është ajo që nuk po dëshiron Asociacion në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Veprim të njëjtë po kërkon edhe drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha, i cili thotë për KosovaPress se duhet të gjendet një lloj mesi, ndërmjet qëndrimit të Kosovës dhe palës serbe për themelimin e Asociacionit.

E rëndësishme, sipas tij është që në bazë të propozimit të Kosovës, “topi” t’i hidhet palës serbe, pastaj të jetë në drejtën e saj të pranojë apo jo.

Kreativitet nga qeveria po kërkon edhe njohësi i integrimeve evropiane, Besnik Vasolli, i cili sugjeron të krijohet edhe një mekanizëm i brendshëm i konsultimit të partive politike për propozimin e një zgjidhjeje për Asociacionin.

Prej rifillimit të dialogut, Serbia është duke insistuar për diskutimin e temës së themelimit të Asociacionit të komunave serbe në Kosovë, por kryeministri Kurti si alternativë të tij ka propozuar themelimin e një Këshilli Nacional të Pakicave, e cila është refuzuar nga pala serbe.

Kreu qeveritar më herët ka deklaruar se Asociacion një etnik nuk mund të ketë në Kosovë./KosovaPress

Read Previous

Ekspertët e ekonomisë: S’ka rrezik as përfitim për ekonominë e Kosovës

Read Next

Birra Peja tërhiqet nga Festivali në Korçë, shkak pjesëmarrja e Goran Bregovic