​Osmani kërkon përfshirje më të madhe të grave në struktura udhëheqëse

Pjesëmarrja e grave dhe vajzave në proceset e paqes dhe sigurisë është garanci më e mirë për paqe dhe siguri të qëndrueshme dhe afatgjate, u tha me rastin Ditës së hapur globale të Kombeve të Bashkuara për gratë, paqen dhe sigurinë e organizuara nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

Agjenda e shënimit të kësaj dite për këtë vit ishte “Thyerja e barrierave dhe ndërtimi i paqes: Avancimi i pjesëmarrjes së gruas në proceset politike”.

Presidentja Vjosa Osmani u shpreh se integrimi i grave dhe vajzave në proceset e paqes dhe sigurisë është padyshim një synim i përditshëm. Ajo theksoi nevojë për të pasur më shumë gra në struktura udhëheqëse.

Osmani u shpreh se Kosova për herë të parë më 22 dhe 23 tetor do të organizojë Forumin Ndërkombëtar për gratë paqen dhe sigurinë dhe kështu po përmbushin zotimin e saj dhënë në Samitin e Demokracisë.

Osmani: Ne kemi nevojë për më shumë gra në struktura udhëheqëse

“Premisa fillestare e secilit diskutim duhet të jetë se pjesëmarrja e grave dhe vajzave në proceset e paqes dhe sigurisë është garanci jona më e mirë për paqe dhe siguri të qëndrueshme dhe afatgjate… Kosova e ka miratuar Rezolutën 1325 dhe ne besojmë në fuqinë transformuese të saj, megjithatë derisa sot flasim për sfidat që ndërlidhen me zbatimin e saj është e pashmangshme të mos adresojmë pjesën e kontekstit kulturor dhe shoqëror në vendin tonë dhe jo vetëm është e pamundur të neglizhojmë ndikimin e drejtpërdrejtë të mendimit patriarkal në drejtim të zbatimit dhe përmbushjes së synimeve që janë pjesë e kësaj agjende. Fuqizimi i vajzave dhe grave nuk mundet kurrsesi të trajtohet vetëm si një agjendë e izoluar… Integrimi i grave dhe vajzave në proceset e paqes dhe sigurisë është padyshim një synim i përditshëm, por këtë mund ta arrijmë vetëm kur garantojmë barazi në të gjitha fushat e tjera po ashtu….Ne e kuptojmë që ky mund të jetë një rrugëtim i gjatë dhe i vështirë, por vullneti ekziston. Ne kemi nevojë për më shumë gra në struktura udhëheqëse dhe kjo nuk është thjesht një dëshirë kjo bazohet në fakte dhe prova të qarta se gratë mund ta bëjnë këtë por më e rëndësishmja sepse shoqëria e dëshiron këtë dhe ka nevojë për këtë dhe është e gatshme ta garantojë këtë”, tha Osmani.

Caroline Ziadeh, përfaqësuesja speciale e Sekretarit të Përgjithshëm dhe shefja e re e UNMIK-ut u shpreh se pjesëmarrja e grave në procese vendimmarrëse kontribuon në shoqëri demokratike dhe gjithëpërfshirëse.

Ziadeh: Pjesëmarrja e grave në procese vendimmarrëse kontribuon në shoqëri demokratike

“Kjo rezolutë njeh se pjesëmarrja domethënëse e grave në proceset vendimmarrëse kontribuon në shoqëri më demokratike dhe më të zhvilluar dhe gjithëpërfshirëse dhe ngritjen e nivelit të paqes së qëndrueshme. Ndryshimet e vërteta mund të ndodhin kur ne sigurojmë që brezat e rinj duke përfshirë burrat e rinj fuqizojnë përfaqësimin politik të grave. Dita e Hapur Globale është një mundësi për të investuar në gratë… Thyerja e barrierave ka të bëjë me krijimin e kushteve për shoqëri përfshirëse ku paqja dhe stabiliteti mund të lulëzojnë në diversitet. Nuk është vetëm lidhur me tejkalimin e pengesave ndaj pjesëmarrjes së grave dhe ka të bëjë edhe me sigurinë dhe ndryshimin e paradigmës të futura në partneritet dhe vlera të përbashkëta”, u shpreh ajo.

Koordinatorja e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, Ulrike Richardson u shpreh se lëvizja e grave në rrugëtimin e Ballkanit Perëndimor drejt paqes dhe barazisë është motor i rëndësishëm.

Richardson: Lëvizja e grave është një motor i rëndësishëm për paqen

“22 vjet po flasim për Rezolutën e Këshillit të Sigurimit 13/25 dhe ende jemi duke folur për këtë rezolutë, por me të vërtetë nuk po i shohim rezultatet dhe dritën të cilën po e prisnim afër, por jo jemi shumë larg, por duhet të vazhdojmë të shtyjmë përpara e dimë që kjo është gjëja e duhur. Ballkani Perëndimor ka pas shumë momente të dhimbshme në të kaluarën, por ka zgjedhur rrugën drejtë paqes, ka zgjedhur paqen si rrugë të vet dhe nuk ka kthim prapa, por që kjo të ndodhë vërtet që ky udhëtim drejt avancimit të ecjes si duhet të jetë gratë duhet të jenë pjesë e udhëtimit…nuk kemi kurrfarë arsyetimi që mos ta përfshijmë gruan në këtë udhëtim kemi faktet, shifrat të gjitha mjetet, i kemi gjithashtu edhe detyrimin moral, për mua kam qenë e impresionuar nga 4 vjetët në Kosovë nga cilësia dhe vendosmëria, pasioni dhe dinamizmi i lëvizjes së grave jo vetëm në Kosovë, por në tërë rajonin. Besoj se lëvizja e grave është një motor i rëndësishëm për këtë udhëtim dhe rrugë që të vazhdoj të mos shohim prapa”, u shpreh Richardson.

Ndërsa, zëvendëskryeministrja e Kosovës për çështje të pakicave dhe të drejta të njeriut, Emilija Rexhepi u shpreh se në Kosovë është punuar në aspektin e mundësive të barabarta për të gjithë.

Rexhepi: Paqja dhe siguria ka të bëjë me të gjithë

“Proceset demokratike në këtë shoqëri të ecin përpara dhe që të gjithë ne të japim brenda kufijve të mundësive tona që japim maksimumin që të jemi të barabartë, që të jemi të njëjtë që të jemi të përfaqësuar në të gjitha institucionet e Kosovës pa asnjë diskriminim në baza nacionale, etnike dhe fetare. Tema e ditës së sotme që i dedikohet të drejtave të grave, paqes dhe sigurisë është diçka që ka të bëjë me të gjithë ne së pari me familjen tonë, pastaj me mjedisin ku jetojmë dhe shtetin ku gjendemi. Deri në atë masë sa ne do të jemi me kurajë të njëjtë deri në atë masë do të arrijmë që të ndryshojmë shoqërinë tonë të hapemi në rajon dhe të pranojmë të gjithë fqinje tanë në mënyrë të barabartë. Kjo është një betejë ku gjendemi të gjithë këtu dhe duhet të jemi të sinqertë gjatë këtij procesi që do jetë i gjatë dhe duhet të jemi së bashku që të shkojmë në atë drejtim ku dëshirojmë”, tha Rexhepi.

Diskutimi në konferencë ka vazhduar me panele që diskutuan për rëndësinë e lidershipit të grave në paqen e qëndrueshme, por edhe për rolin e gruas në fuqizimin e proceseve përfshirëse të vendimmarrjes. /KosovaPress/ 

Read Previous

Blatter dhe Platini dalin sot përpara gjykatës, rrezikojnë dënimin me burg

Read Next

Norvegjia hap kompleksin e ri të muzeut kombëtar të artit me vlerë 650 milionë dollarë në Oslo