​Llapi kërkon ndihmën e FFK-së për sanimin e dëmeve në stadium, 10.000 euro dëmi i shkaktuar

Klubi i Futbollit Llapi ka dalë sot me një komunikatë për media ku ka folur për incidentin e ndodhur të dielën në stadiumin “Zahir Pajaziti” ku pas ndeshjes ndërmjet Llapit dhe Ballkanit të cilën e fituan vendasit me rezultat 3-2, tifozeritë e të dy skuadrave u përleshën dhe si pasojë edhe u shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale.

Klubi llapjan ka dënuar rëndë dhunën e përdorur nga tifozët e Ballkanit duke kërkuar dënimin maksimal ndaj personave përgjegjës, por gjithashtu ka potencuar se kjo njgarje nuk do të ndikojë në mardhënjet mes drejtuesve të dy klubeve.

Ata gjithashtu kanë kërkuar mbështetjen e Federatës së Futbollit të Kosovës për të sanuar dëmet e shkaktuara për të cilat thonë se kapin vlerën e 10.000 eurove.

Komunikata e plotë e KF Llapit

Komunikatë për shtyp nga kryesia e klubit rreth incidentit të shkaktuar nga tifozeria mysafire pas përfundimit të ndeshjes KF Llapi – FC Ballkani

Të nderuar sportdashës,

Pas një analize të thellë dhe shumë të detajuar në çdo aspekt për incidentin që ndodhi dje në Arenën “Zahir Pajaziti”, kryesia e klubit ka vendosur të dal me komunikatë për shtyp për të sqaruar situatën e cila ndodhi dje pas përfundimit të ndeshjes e që për ne si klub është e pa pranueshme dhe dënojmë çdo akt të huliganizmit në sportin më të bukur në botë, futbollin.

KF Llapi dhe FC Ballkani treguan futboll të mirë, cilësor dhe rivalizues. Ndeshja e djeshme ishte hijeshia e këtij sezoni sa i përket ndeshjes, kurse sa i përket tifozerive të skuadrave gjatë ndeshjes nuk kishte asnjë përleshje fizike mes tifozerisë mes vete sepse nuk kishin mundësi të përballeshin pasi që tifozët tanë ishin vendosur në Veri kurse tifozët mysafir në Jug.

Si organizator të ndeshjes ne morëm gjitha masat e nevojshme dhe ua siguruam tifozëve mysafirë një tribunë të vetme ku as edhe një tifoz i Llapit nuk ishte në atë tribunë. Po ashtu në secilën pjesë të tribunave dhe stadiumit kishte sigurim dhe policë të mjaftueshëm për ta mbuluar sigurinë e ndeshjes por pas përfundimit të ndeshjes, tifozët mysafir, të revoltuar me humbjen e ekipit të tyre filluan t’i dëmtojnë ulëset e tribunës në të cilën ishin të vendosur dhe kjo gjë është e pa pranueshme në sport dhe duhet të dënohet rrept pa marr parasysh kush do që të jetë. 

Ne kemi raporte të shkëlqyeshme mes dy kryesive dhe jemi rival në fushë por miq dhe shokë jashtë fushës. Ne edhe pse jemi dëmtuar rëndë si klub, gjithmonë do ta respektojmë kryesinë e FC Ballkanit dhe vëllezërit Kabashi pasi që ata nuk kanë të bëjnë me këto gjëra por disa tifozë të pa ndërgjegjshëm shkaktuan këtë dëm të madh dhe të pa nevojshëm.

Presim që personat që u identifikuan në incident të marrin dënimin e merituar dhe sa më të lartë që të vetdijësohemi një herë e përgjithmonë që mbështetja e skuadrës së zemrës është e pranueshme por pa shkaktuar dëme materiale që prishin imazhin e futbollit.

E dini të gjithë se çfarë sakrifice kemi bërë dhe vazhdojmë të bëjmë ne vëllezërit Batatina për ta ngritur infrastrukturën në këtë nivel dhe të dëmtohet pa asnjë nevojë, kjo gjë është e pa pranueshme si dhe e dënueshme.

Dëmi i shkaktuar sipas Policëve dhe ekspertëve të dëmit kalon vlerën e 10,000 Eurove.

Shpresojmë që FFK të na mbështes dhe ne të intervenojmë menjëherë me rregullimin e ulëseve sepse për ne si klub është e pamundshme ta shohim ashtu Arenën “Zahir Pajaziti”.

Me respekt

Kryesia e KF Llapi

Podujevë, 13 mars 2022

/Botasot/

Read Previous

Sërish greva në disa aeroporte gjermane

Read Next

Shkaktoi debat të fortë me deklaratën e tij, Lineker pritet të rikthehet te BBC fundjavën e ardhshme