​Kuvendi mblidhet në dy seanca të ndryshme plenare

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet në dy seanca të ndryshme plenare gjatë ditës së sotme. E para është paraparë të fillojë në ora 11:00 kurse e dyta në ora 15:00.

Në seancën e parë, pas pikave të zakonshme si ajo e deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, do të jenë në shqyrtim tri marrëveshje ndërkombëtare. Dy të parat me Bashkimin Evropian në fushën e tatimit dhe të doganave, ndërsa e treta me Gjermaninë, të përfaqësuar nga GIZ, për bashkëfinancimin për projektin e Parkut të Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren.

Deputetët gjithashtu do të bëjnë shqyrtimin e dytë të Projektligjit nr.08/L-109 për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

Po ashtu, do të bëhet shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-172 për Sigurinë e Përgjithshme të Produkteve, si dhe shqyrtimi i Propozim-rezolutës në lidhje me mosrealizimin e projekteve kapitale të Qeverisë gjatë vitit 2022.

Deputetët do të tentojnë të zgjedhin edhe dy anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ndërsa pikë e fundit e seancës së parë është shqyrtimi i raportit vjetor të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2021.

Seanca e dytë ka vetëm dy pika të rendit të ditës. Shqyrtimi i parë i projektligjit nr.08/L-179 për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, si dhe shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-183 për mbështetjen e punëve publike.

Read Previous

Kanceri i gjirit – 430 raste u diagnostikuan në vitin 2021 në Kosovë

Read Next

​Daja flet pas humbjes: Duhej të ishim më efikas