​Kurti pret në takim liderët e opozitës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ftuar në takim krerët e partive opozitare për të diskutuar në lidhje me situatën në veri të Kosovës.

Takimin i cili do të mbahet sot, raportohet në media se e kanë konfirumar nga PDK, AAK dhe LDK.

Takimi mes Albin Kurtit dhe Ramush Haradinajt është raportuar se do të ndodh në orën 8:00 të mëngjesit.

Lidhur me këtë ftesë ka shkruar ish-kryenegociatorja e Kosovës. Edita Tahiri ka thënë se është lajmi i mirë që kryeministri bëri një veprim të duhur duke ftuar opozitën në takim, të cilës opozita i është përgjigjur pozitivisht.

“Gjendja e rënduar në veri tejkalohet me unitet, maturi dhe bashkëpunim me aleatet strategjik”, ka shkruar ajo.

PDK dje përmes një letre publike ka shprehur gatishmërinë e saj për të komunikuar hapur dhe në vazhdimësi me Qeverinë e Kosovës rreth situatës së krijuar në pjesën veriore të vendit.

Lidhja Demokratike e Kosovës për situatën në veri ka ftuar institucionet e Republikës për koordinim të ngushtë me ShBA-të dhe aleatët tjerë evropianë.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ka thënë se Kurti po e ndihmon skenarin e Serbisë për dështimin e planit franko-gjerman, për marrëveshjen finale me njohje reciproke.

Më 30 tetor, Qeveria mori vendim për zbatimin e vendimit për regjistrimin e makinave me targa ilegale serbe me targa të Kosovës: RKS, përkundër kërkesës së ndërkombëtarëve që ky vendim të shtyhet për dhjetë muaj.

Plani i ri i Qeverisë së Kosovës, i publikuar më 28 tetor, pritet të zbatohet në tri faza. E para përfshin qortimin e shoferëve që vozisin makina me targa të paligjshme; e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.

Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS, apo Republika e Kosovës.

Pas fillimit të zbatimit të fazës së parë të vendimit, përfaqësuesit serbë kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre në Qeveri, Kuvend, gjyqësor , polici dhe Kuvendeve komunale në veri të vendit. Ndërkohë, dje kanë mbajtur edhe një protestë./KP/

Read Previous

Kuvendi mban sot dy seanca, njëra e jashtëzakonshme

Read Next

8 nëntor 1462, dokumenti i parë i gjuhës shqipe