​Kurti përkujton jetën dhe veprën e komandantit Ilaz Kodra

Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës në nderim të rënies së komandantit të UÇK-së, Ilaz Kodra, dhe 315 dëshmorëve e martirëve, të rënë më 30 prill 1999 në Drenicë, kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar jetën dhe veprën e tij.

Kurti u shpreh se seancat e veçanta si kjo jashtë punës dhe ecurisë së rregull të Kuvendit të Kosovës e freskojnë frymën që e ka krijuar republikën, e që janë dëshmorët e kombit dhe martirët e lirisë së Kosovës.

“Sot më 2 maj 2024 jemi mbledhur në Kuvendin e Kosovës që nga ky vend i përkujtojmë dhe nderojmë 315 dëshmorë dhe martirë të rënë për Republikën e Kosovës para 25 vjetësh, të rënë për lirinë e Kosovës me 30 prill 1999 në Drenicë. Për ta kujtuar luftëtarin e paepur të lirisë Ilaz Kodrën bashkëluftëtarin e Adem Jasharit dhe një nga të parët e grupeve të armatosura që i hodhën themelet mbi të cilat u ngrit UÇK-ja. Po e kujtojmë sot një ditë para ditëlindjes së tij kur ai do të bëhej 58 vjeç”, tha Kurti.

Kurti poashtu ka përshkruar edhe angazhimin e Ilaz Kodrës duke thënë se ai u aktivizua politikisht në rininë e hershme duke marrë pjesë në protestat popullore kundër shtypjes dhe diskriminimit të shqiptareve nga regjimi i Serbisë.

“Më 1993 Ilazi me shokë kishte kryer një aksion të suksesshëm kundër policisë në Drenas kurse pak kohë më pas ai ishte larguar për në mërgim në Gjermani. Atje Ilazi e vazhdoi angazhimin e tij mes organizimesh të mërgatës shqiptare me tubime dhe aktivitete të tjera. Më 6 maj 1997 ai u përball me ushtarët serb në kufi duke u futur nga Shqipëria në Kosovë në konfrontimin e armatosur ku u vra Luan Haradinaj. Në korrik 1997 bashkë me Abedin Rexhen, Ilaz Kodra u kthye përfundimisht nga Gjermania në Kosovë. Në muajt në vijim gjatë gjysmës së dytë të vitit 1997 Ilaz Kodra u angazhua maksimalisht në organizimet e UÇK-së”, u shpreh Kurti.

Duke kujtuar veprën e Ilaz Kodrës, Kurti u shpreh krenar duke thënë se ai u vra nga forcat serbe duke luftuar.

“Më 30 prill 1999 forcat e shumta ushtarake dhe policore të Serbisë i rrethuan mijëra banorë të strehuar në fshatrat Vërboc dhe Shtuticë. Ilaz Kodra bashkë me luftëtarët të tjerë të brigadës 114 Fehmi Lladrovci u pozicionuan në mbrojtje të banorëve civil dhe luftuan me trimëri përkundër mundësive aq të pa barabarta përballë forcave armike serbe. Nga ora 5 e mëngjesit deri në 16 të pasdites forcat serbe i garantuan pa pushim ato anë të Drenicës duke i vrarë gjithsej 315 njerëz. Mes tyre atë ditë rreth orës 16 u vra duke luftuar edhe Ilaz Kodra komandanti i brigadës 114 Fehmi Lladrovci”, përfundoi Kurti. /KosovaPress/

Read Previous

Osmani: Ilaz Kodra ishte dora e djathtë e komandatit Adem Jashari dhe simbol i rezistencës për liri

Read Next

​Konjufca: Heroi Ilaz Kodra, ndër figurat më emblematike të UÇK-së