​Kroacia mbështet dialogun dhe liberalizimin e vizave për Kosovën

Ministri i Jashtëm i Kroacisë, Gordan Grliq-Radman po qëndron për vizitë në Kosovë, ku edhe ka shprehur mbështetjen e shtetit kroat për dialogun Kosovë-Serbi dhe ka garantuar mbështetje për liberalizimin e vizave për popullin e Kosovës.

Ai pas takimit me homologen e tij Donika Gërvalla, bëri të ditur po ashtu se shteti kroat do të jep 10 mijë doza të vaksinave antiCOVID si donacion për Kosovën.

Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, për çka edhe shprehu mbështetjen e Kroacisë, Radman apeloi të dyja palët që të angazhohen maksimalisht për një zgjidhje të pranueshme.

Ai shprehu gatishmërinë e shtetit kroat që të ndihmojë Kosovën në rrugën drejt njohjeve të reja, për çka tha se nëse Serbia merr vendimin e duhur për njohje, kjo në të ardhmen do t’i lehtësonte marrëdhëniet dhe do të ishte hap i mirë për të siguruar paqe dhe siguri në Evropën Juglindore.

Radman: Mbështesim dialogun Kosovë-Serbi, të gjendet një zgjidhje e pranueshme

“Republika e Kroacisë e përkrahë dialogun Kosovë-Serbi në dialogun bilateral, me ndërmjetësimin e Lajçak dhe me ndihmën e administratës amerikane, u bëjmë thirrje të dy palëve që të angazhohen maksimalisht për një zgjidhje të pranueshme. Kroacia gjithashtu është kundër çdo përpjekjeje që do të çonte deri te ndryshimi i kufijve në hapësirat e Evropës Juglindore. E përshëndesim vendimin e palës kosovare dhe asaj serbe për vazhdimin e dialogut edhe gjatë këtij viti. Brenda BE-së, Republika e Kroacisë do të angazhohet tek ato vende që nuk e kanë njohur Kosovën, në mënyrë që edhe këto vende ta njohin pavarësinë e Kosovës, për t’ia lehtësuar edhe Kosovës perspektivën evropiane”, tha Radman.

Ai po ashtu tha se shteti kroat do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në rrugën drejt integrimit euro-atlantik, duke mbështetur liberalizimin e vizave për qytetarët.

Radman: Republika e Kroacisë jep mbështetjen e plotë për liberalizim të vizave

“Kam informuar ministren për takimin e radhës të Këshillit për Punë të Jashtme që do të mbahet në javën e ardhshme në Bruksel, Kroacia edhe një njëherë do të shpreh mbështetjen e saj për zgjerimin e Bashkimit Evropian në Evropën Juglindore, po ashtu Republika e Kroacisë jep mbështetjen e plotë për liberalizim të vizave në mes Kosovës dhe BE-së”, tha ai.

Radman tha se Republika e Kroacisë ka marrë vendim për rritjen e kontingjentit ushtarak të KFOR-it, teksa dha një lajm tjetër të mirë për popullin e Kosovës, e që dhurimi i 10 mijë dozave të vaksinës kundër virusit COVID.

Radman: Kemi ndarë 10 mijë doza të vaksinave për Republikën e Kosovës

“Me kënaqësi të madhe e kam njoftuar ministren Gërvalla me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kroacisë për ndarjen e 10 mijë dozave të vaksinave për Republikën e Kosovës”, tha ai.

Ndërsa, ministrja Gërvalla ka shprehur falënderime ndaj homologut të saj kroat për mbështetjen e vazhdueshme që Kroacia i ka ofruar dhe vazhdon t’i ofrojë Kosovës në të gjitha fazat e shtet-ndërtimit.

Gërvalla: Kroacia është mbështetëse e fortë për liberalizimin e vizave për Kosovën

“Theksova në mënyrë të veçantë miqësinë, bashkëpunimin bilateral në shumë fusha të ndryshme. Biseduam po ashtu për prioritetet e politikës të jashtme të Kosovës, për integrimet euroatlantike dhe nevojën që kemi për konsultime të vazhdueshme me shtetin kroat, në rrugën tonë drejt institucioneve euroatlantike për të përfituar nga njohuritë dhe përvojat e Kroacisë ët cilat janë shumë të vlefshme për ne. Jemi të përkushtuar si Republikë e Kosovës të thellojmë bashkëpunimin dhe shkëmbimet jo vetëm në këtë drejtim… Biseduam gjatë për çështjen e liberalizimit të vizave, ku Kroacia është një mbështetëse e fortë për liberalizimin e vizave për Kosovën”, tha ajo.

Diplomati kroat, Gordan Grliq-Radman, është takuar sot edhe me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Read Previous

Lumir Abdixhiku përkujton akademikun Fehmi Agani

Read Next

Arben Gashi: LDK nuk do të marr pjesë në seancën e Kuvendit pa u mbajtur mbledhja e Kryesisë