​Kosova rrezikohet nga Omicron, në MSh flasin rreth rishikimit të masave anti-COVID

A health worker collects a swab sample for a RT-PCR Covid-19 coronavirus test at the North Bengal Medical college and hospital on the outskirts of Siliguri on June 8, 2021. (Photo by Diptendu DUTTA / AFP) (Photo by DIPTENDU DUTTA/AFP via Getty Images)

Ndonëse në Kosovë ende nuk është regjistruar asnjë rast me variantin e ri të COVID-19, Omicron, infektologët dhe ekspertët thonë se edhe Kosova rrezikon të preket nga ky mutacion i ri që ka prekur tashmë disa vende perëndimore. Por, ndonëse ka shumë pak informacione rreth këtij mutacioni të ri, infektologët në Kosovë thonë se të dhënat e para flasin për një formë të lehtë ose mesatarisht të rëndë. E nga Ministria e Shëndetësisë janë deklaruar se në fillim të kësaj jave do mblidhet edhe komiteti i ekspertëve për të marrë rekomandimet për të rishikuar masat anti-COVID.

Drin Podrimqaku, këshilltar politik në Ministrinë e Shëndetësisë ka deklaruar për KosovaPress, në fillim të kësaj jave do të mblidhet grupi i ekspertëve për të marrë rekomandimet për të rishqyrtuar kështu vendimin për masat.

“Komiteti për koordinimin dhe vlerësimin e situatës me pandeminë Covid-19 është mbledhur të Shtunën, ku kanë diskutuar për situatën epidemiologjike dhe rrezikun e përhapjes së variantit të ri Omicron të Covid-19, janë konsultuar të gjithë hisedarët, dhe në fillim të kësaj jave do të mblidhet grupi i ekspertëve për të marrë rekomandimet për të rishqyrtuar kështu vendimin për masat”, tha ai.

Infektologu Ilir Tolaj thotë se Omicron dallon nga variantet tjerë të COVID-19, pasi shoqërohet me ndryshime të mëdha në strukturën e tij gjenetike.

Ai konsideron se edhe Kosova do të ballafaqohet me këtë variant të ri, i cili në bazë të dhënave aktuale manifestohet me simptoma më të lehta apo mesatarisht të rënda.

Infekotogu Tolaj thotë se imuniteti i krijuar pas kalimit të COVID-19 apo edhe vaksinimit do ndikojë për të parandaluar format e rënda të këtij varianti.

“Ky variant për dallim nga varinatet tjera ka ndryshime më të mëdha dhe shumë më të numërta në strukturën gjenetike të tij duke sjellë pikëpyetje se në çfarë mënyre do të ketë pasoja në përhapjen e pandemisë në përgjithësi. Deri tash të dhënat janë shumë të vogla rreth se sa infektues është ky variant në raport me variantet tjera paraprake, duke përfshirë edhe variantin Delta, Delta plus, gjithashtu edhe rreth manifestimeve klinike, rastet e paktat të cilat janë shfaqur si në Afrikën e Jugut, ashtu edhe në vendet tjera prej nga flasin tash për tash për një formë relativisht të lehtë ose mesatarisht të rëndë pa ndërlikime plotësuese, mirëpo ende të dhënat janë duke u grumbulluar, ende nuk dihet se cili është ndikimi i vërtet i këtij variant në ecurinë e pandemisë…Ashtu siç ka ndodhur deri tani me të gjitha variantet dhe me të gjitha valët e pandemisë, edhe Kosova herët ose vonë do të ballafaqohet edhe me këtë variant, por përparësia e Kosovës është që deri në atë moment ne do kemi shumë më tepër informata sesa që kemi deri në këtë çast dhe ku Kosova nuk ka ende ndonjë prej këtyre rasteve rrjedhimisht do jetë në gjendje që t’i shfrytëzoj përvojat e vendeve tjera në ballafaqimin me këtë variant”, tha ai.

Sipas infektologut, Ilir Tolaj masat e tanishme që janë në fuqi për momentin janë të mjaftueshme për mbrojtje, megjithatë, ai kërkoi vetëm zbatim më të lartë të tyre.

Tolaj thotë se grumbullimet e njerëzve gjithsesi duhet të evitohen.

“Masat që janë duke i ndërmarrë shumë vendeve të ndryshme rreth këtij varianti janë masa parandaluese të kujdesit jashtëzakonisht të tepruar për të cilat Kosova njëherë për njëherë nuk e besoj që ka nevojë që t’i ndërmarrë në masën e tillë….Masat të cilat janë në fuqi janë të mjaftueshme janë jashtëzakonisht efikase nëse do të ishin mbikëqyr si duhet, duhet me pranuar që këto masa nuk janë mbikëqyrë sa duhet unë prapë po e them për Kosovën dhe popullatën e saj do jetë e mjaftueshme nëse parandalohen tubimet në ambientet të mbyllura për një kohë shumë të gjatë të një numri të madh të personave nuk duhet lejuar puna e klubeve të natës, nuk duhet lejuar mbajtja e dasmave dhe duhet të kufizohet edhe në orare edhe gjithsesi në numër shfrytëzimi i kapaciteteve hoteliere siç janë kafiteritë e ndryshme”, theksoi Tolaj.

Ndërsa, kryetarja e Federatës së Mjekëve Shqiptar në Evropë, Aurora Dollenberg, variantin e ri Omicron e konsideron surprizë për të gjithë.

Specialistja e mjekësisë familjare për KosovaPress, thotë se nga ky variant nuk do shpëtojë as Kosova marrë parasysh edhe festat e fundvitit.

Dollenberg ka kërkuar që edhe Kosova sa më shpejt t’i rishikojë masat duke evituar grumbullimet e mëdha të qytetarëve.

Read Previous

Përfundon festivali ‘Hasi Jehon’

Read Next

Dyshimet për sulme, Ambasada Amerikane po monitoron situatën në bashkëpunim me policinë