Njësi të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës kanë sekuestruar dhjetë detonatorë ndezës me fitila (kabllo), të cilët janë gjetur në afërsi të fshatit Gnjezhdan, pranë shtratit të lumit. Pajisjet dyshohet se ishin të braktisura dhe mund të paraqisnin rrezik për banorët e zonës.
Pas marrjes së informacionit, njësia e hetimeve ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes për të kryer veprimet e nevojshme. Po ashtu, është kontaktuar prokurori i shtetit, i cili ka udhëzuar që rasti të iniciohet sipas procedurave ligjore për posedim ose gjetje të pajisjeve potencialisht të rrezikshme.
Pajisjet janë siguruar dhe transportuar në stacionin policor, ndërsa rasti mbetet nën hetime nga njësitë kompetente, të cilat po punojnë për të zbuluar origjinën dhe qëllimin e mundshëm të detonatorëve.
Autoritetet kanë apeluar qytetarët që të raportojnë çdo gjetje të dyshimtë në mënyrë që të parandalohet çdo rrezik i mundshëm për sigurinë publike. /KosovaPress/