​Javën tjetër vijnë vaksinat e blera nga Qeveria

Javën e ardhshme pritet të mbërrijë kontingjenti i parë me dozat e vaksinave të cilat janë blerë nga Qeveria e Kosovës. Ndonëse numri i vaksinave nuk bëhet i ditur për arsye të kontratës mes shtetit dhe kompanisë Pfizer, ato do të mundësojnë që plani i vaksinimit masiv të vazhdojë. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitita deklaroi se i gjithë ky plan po shkon mirë, ndërsa mohon se ka vaksinime të personave jashtë kategorive të përcaktuara. Përveç vaksinave anti-COVID, Vitia thotë se shumë shpejtë do të mbërrijnë edhe insulinat të cilat aktualisht janë në mungesë në QKMF-të e vendit.

Duke u ndalur të vaksinimi masiv, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, deklaroi se synim i tyre mbetet që brenda një muaji të realizohen deri në 500 mijë vaksinime.

Sipas tij, falë organizimit të mirë, është dëshmuar se ka deri në 8 mijë vaksinime në ditë pa asnjë problem, si për profesionistët shëndetësorë ashtu edhe për qytetarët.

Plani i vaksinimit në Kosovë tashmë ndodhet në fazën e dytë, e që nënkupton që të drejtë të vaksinimit kanë personat mbi moshën 65-vjeçare, ata me sëmundje kronike, dhe pjesëtarët e FSK-së dhe Policisë së Kosovës.

Gjatë kësaj jave janë shtuar dyshimet që kjo fazë nuk po respektohet pasi qytetarët të shumtë të rinj në moshë janë imunizuar, madje edhe dëshmitë e marrjes së dozës së parë i kanë bërë publike në rrjete sociale.

Por, këtë e ka mohuar ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, i cili shprehet shumë i sigurt që janë marrë të gjitha masat që të respektohet plani i vaksinimit.

Përkundër që është mjek me profesion dhe ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia ende nuk është vaksinuar. Ai thotë se vaksinën kundër COVID-19 do e marr kur të vijë radha për imunizim për të dhe kolegët e tij ministra.

Tash e sa kohë qytetarët e Kosovë janë duke u ballafaquar me mungesë të insulinave. Por sipas ministrit Vitia ky problem do zgjidhet shumë shpejt dhe qytetarët do mund t’i marrin insulinat nëpër Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare.

Procesi i vaksinimit në Kosovë ka nisur më 15 qershor, deri më tani janë vaksinuar mbi 152 mijë qytetarë, ndërsa edhe dozën e dytë të imunizimit e kanë marr mbi 26 mijë persona./KosovaPress

Read Previous

Itali – Austri, formacionet zyrtare

Read Next

Uellsi – Danimarka, formacionet zyrtare