​Haxhiu: Qosja, zë kundër shtypjes dhe padrejtësisë

Me një minutë heshtje ka nisur seanca e veçantë e Kuvendit të Kosovës e cila po mbahet në nderim të akademikut, Rexhep Qosja i cili vdiq më 23 prill në moshën 90-vjeçare.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu në një fjalë rasti tha se akademiku, Rexhep Qosja ishte zë i qartë kundër shtypjes, padrejtësisë dhe përpjekjeve për mohim të identitetit kombëtar.

“ Ai ishte zë i qartë kundër shtypjes, kundër padrejtësisë dhe përpjekjeve për mohimin e identitetit tonë kombëtarë. Kontributi i tij shtrihet edhe në proceset politike të fundit të shekullit të kaluar kur Kosova kërkonte liri dhe republikë. Rexhep Qosja vuri autoritetin e tij intelektual në shërbim të kësaj të drejte duke artikuluar lirinë e Kosovës si të drejtë historike dhe kauzë që kërkonte konfirmim ndërkombëtarë”, tha ajo.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu në këtë seancës të veçantë për kritikun letrar deklaroi se Qosja ishte ndër njerëzit që e shndërroi kulturën në hapësirë mendimi, polemike, vetëdije dhe përgjegjësie historike.

“Si njëri ndër njerëzit që e shndërroi kulturën në hapësirë mendimi, polemike, vetëdije dhe përgjegjësie historike. Rexhep Qosja jetoi dhe krijoi në një kohë kur shqiptarëve u kërkohej që vazhdimisht ta dëshmonin gjuhën, historinë, përkatësinë dhe të drejtën politike kësaj kohe ai iu përgjigj me vepra me studime polemika, qëndrime publike dhe me një disiplinë intelektuale që rrallë shihet në jetën publike. Ai e ndërtoi mendimin e tij mbi vlerat e rilindjes kombëtare mbi trashëgiminë ilimuniste evropiane, mbi humanizmin dhe mbi figurat që shqiptarëve u dhanë drejtim historik. Si shkrimtarë ai dëshmoi se letërsia mund të jetë njëkohësisht artë dhe ndërgjegje. Në veprat e tij artistike solli njeriun përballë frikës pushtetit padrejtësisë dhe dilemave të kohës sonë“, tha Haxhiu.

Kryeparlamentarja, Haxhiu tha se kujtimi për akademik Qosjen do të mbetet tek mendimi kritik, gjuha shqipe dhe historia politike e shpirtërore e Kosovës.

“Akademik Qosja nuk kërkoi nderime për vetën, por Republika ka detyrë t’i nderoj ata që me veprën e tyre e kanë nderuar shtetin dhe e kanë nderuar kombin. Kujtimi për të do të mbetet aty ku ai e vendosi gjithë veprën e tij në kulturën shqiptare, në mendimin kritik në gjuhën shqipe dhe në historinë politike shpirtërore të Kosovës”, deklaroi Haxhiu.

Akademiku, shkrimtari dhe kritiku letrar shqiptar, Rexhep Qosja vdiq të enjten në moshën 90-vjeçare, për lajmin për ndarjen nga jeta e dha familja e tij. Ndërsa, në nderim të jetës së Qosjes, në Kosovë 24 prilli ishte ditë zie. /KosovaPress/

Read Previous

Konjufca: Qosja ishte një nga intelektualët dhe veprimtarët më të rëndësishëm të kombit

Read Next

​Gola: Qosja la pas vetës një korpus intelektual që në bosht kishte kombin shqiptar