​DnV thotë se KQZ-ja dështoi në verifikimin e votuesve nga jashtë

Një ditë para fillimit të fushatës zgjedhore, koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” (DnV), iu ka kërkuar partive politike të bëjnë fushatë të qetë, ndërsa incidentet gjatë tubimeve të Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë të veriut dhe Skenderaj, i kanë vlerësuar të papranueshme dhe dënueshme. Sipas tyre, partive politike, pavarësisht etnisë duhet t’iu garantohet e drejta e lëvizjes së lirë në tërë territorin e Kosovës. Ndërkohë kanë konsideruar se KQZ-ja ka dështuar sa i përket verifikimit të aplikimeve të votuesve nga jashtë Kosovës.

Përfaqësuesi i DnV-së, Eugen Cakolli përmes një konference për medie, teksa shpalosi planin për monitorimin e fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 14 shkurtit, tha se partitë duhet të jenë më transparente.

Cakolli: Incidentet në fushatë i vlerësojmë të papranueshme dhe dënueshme

Video

“Duke qenë se rregullativa ligjore kërkon që periudha e fushatës të zhvillohet mbi premisat e një gare të barabartë dhe pa gjuhë denigruese, DnV ripërtëritë kërkesën e saj që këto zgjedhje, përkatësisht fushata zgjedhore të jetë një fushatë e qetë e cila zhvillohet mbi një frymë konkurruese. Në këtë drejtim DnV vlerëson se duhen përmendur edhe incidentet e ndodhura së fundmi, veçanërisht gjatë vizitës së u.d të presidentit dhe kandidatit të subjektit politik LVV- për kryeministër, ku gjatë një aktiviteti në pjesën veriore të vendit, por edhe në komunën e Mitrovicës së Jugut dhe po ashtu aktivitetin e djeshëm në Skenderaj ka pasur incidente ku ne i vlerësojnë të papranueshme dhe të dënueshme sipas dispozitave ligjore. Po ashtu ne kërkojmë që subjektet politike, pavarësisht etnisë t’iu garantohet e drejta e lëvizjes së lirë në tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe të kenë mundësi që përmes shpalosjes së parimeve kryesore programore të zhvillojnë fushatë të qetë”, tha ai.

Sa i përket votimit me postë nga jashtë Kosovës, Cakolli tha se KQZ duhet sa më shpejt të publikoj fletëvotimin dhe listën e kandidatëve, pasi sa më shumë që vonohet do t’iu kufizohet koha brenda së cilës qytetarët do të kenë mundësi të votojnë.

Cakolli: KQZ-ja ka dështuar të përmbyll me kohë operacionin e verifikimit të votuesve

“Sa i përket trupave menaxhues të zgjedhjeve, përkatësisht KQZ-së, e njëjta ka dështuar të përmbyll me kohë operacionin e verifikimit të votuesve, e cila ka pasur efekt zinxhiror edhe në publikimin e fletëvotimit. Prandaj ne kërkojmë nga ana e KQZ-së, meqenëse është hedhur shorti dhe dihet radhitja e subjekteve politike që sa më shpejt të publikoj fletëvotimin dhe listën me broshurën e kandidatëve të të gjitha subjekteve politike që janë të certifikuara për të marrë pjesë në zgjedhje. Në mënyrë që asnjë prej qytetarëve të mos iu mohohet e drejta e votës. Pasi nëse KQZ-ja vonohet në këtë proces, atëherë automatikisht do të kufizohet koha brenda së cilës qytetarët do të kenë mundësi që të ushtrojnë të drejtën e tyre për votim nga jashtë vendit”, u shpreh ai.

Krahas kësaj, Cakolli shtoi se PZAP dhe Gjykata Supreme është dashur të obligojë subjektet politike, kandidatët e të cilave nuk është lejuar gara, t’i rirendisin ata.

Cakolli: PZAP dhe Gjykata Supreme është dashur të obligojnë partitë, kandidatët e cilave nuk iu është lejuar gara që t’i rirendisin ata

“Demokracia në Veprim vlerëson se PZAP dhe Gjykata Supreme është dashur të obligojnë subjektet politike, kandidatët e cilave nuk iu është lejuar gara që t’i rirendisin kandidatët e mbetur, bazuar edhe në kërkesën ligjore që të ketë një kandidat të gjinisë femërorë në çdo treshe të kandidatëve në listat zgjedhore të tyre”, u shpreh ai.

Cakolli, po ashtu tha se gjatë fushatës zgjedhore kanë angazhuar 16 vëzhgues afatgjatë për të vëzhguar në baza ditore aktivitetet zgjedhore të subjekteve politike në shtatë qendrat më të mëdha të Kosovës, përfshirë edhe disa komuna të banuara me shumicë serbe.

Read Previous

​Hoti: Biznesi është duke lulëzuar tash pas pandemisë

Read Next

​OAK urëlidhëse në mes studentëve dhe tregut të punës