​Dëshmitarja flet për përmbajtjen e pakos së parë me dokumente të sekuestruara nga OVL-UÇK

Marrja në pyetje e dëshmitarit të parë në gjykimin ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka vazhduar lidhur me përmbajtjen e pakos së parë me dokumente të cilat janë sekuestruar nga OVL-UÇK.

Dëshmitarja e parë e ZPS-së, Zenka Pumer ka thënë se pako 1 përmbante dokumente me kërkesa për koordinim të ofruara nga Task Forca Speciale Hetimore.

Pumper: Paketa 1 përmbante ndihmë nga prokurori serb për Task Forcën Speciale Hetimore

“Një pjesë e madhe e dokumenteve që përmbante paketa 1 janë kërkesa për koordinim të ofruara nga Task Forca Speciale Hetimore, pra ndihmë në hetime nga prokurori serb i zyrës për krime lufte. Pra, ka të bëjë me komunikimin midis prokurorit serb për krime të luftës dhe njësi të ndryshme apo stacioneve të ndryshme policore, pra bëhet fjalë për komunikim të brendshëm kur prokurori i kërkonte policisë të zhvillonte hetime, për shembull të gjente dëshmitarë apo të merrte deklarata, dhe policia pastaj raportonte, kthente përgjigje dhe jepte materialet e kërkuara”, ka thënë dëshmitarja e ZPS-së.

Prokurorja Valeria Bolici ka pyetur dëshmitaren se cili është klasifikimi i procesverbaleve apo dokumenteve të hetimeve në çështje penale dhe sipas dëshmitares ato janë dokumente konfidenciale.

Dëshmitarja ka thënë se dokumentet ishin në gjuhën serbe dhe kanë përfshirë deklarata që kanë dhënë dëshmitarët e mundshëm, një gjë të tillë sipas saj, e kanë verifikuar.

Dëshmitarja ka thënë se dokumentet e konfiskuara i ka klasifikuar me numra, për çka ka thënë se pakon numër 4 ua ka dorëzuar një media dhe të njëjtit u kanë dërguar email që flet për rrjedhën e paketës 1.

Pumer: Një media na e dërgon një email që flet për rrjedhën e paketës 1

“Është një email që e dërgon një media lajmesh ia dërgon zëvendësit tonë që bënë fjalën për rrjedhjen e paketës 1 në thelb. Është një tjetër email që bën fjalën për rrjedhjen e paketës 1. Me sa kam dijeni autori i këtij emaili na ka dhënën në dispozicion paketën 4”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se paketa 4 ka shumë ngjashmëri me paketën 1.

Prokurorja Valeria Bolici gjatë gjithë seancës i ka paraqitur disa dokumente dëshmitares, për të cilat kjo e fundit ka konfirmuar se i ka shkruar.

Prokurorja ka kërkuar nga trupi gjykues që të regjistrohen si prova materiale dokumentet që dëshmitarja i vërtetoi si të vërteta.

Bolici: Dokumentet e konfirmuara nga dëshmitarja të regjistrohen si prova materiale

“Në këtë fazë dua që të kërkoj që të regjistrohen si prova materiale dokumentet të cilat dëshmitarja sapo i vërtetoi që janë të vërteta, dhe posaçërisht janë dokumentet të cilat mbajnë numrin e identifikimi ERN080464 deri në 080464 dokumenti me numër identifikimi ERN081083 deri 081083, dokumenti me numër identifikimi ERN080992 deri në 080992, dhe dokumenti me numër identifikimi ERN08103 deri në 08103. Të gjitha këto janë me rëndësi, janë provuese në natyrë dhe janë identifikuar nga dëshmitari si dokumente të cilat janë sekuestruar nga paketa numër 1 nga OVL-UÇK”, ka thënë prokurorja Bolici.

Lidhur me këtë, avokati i Hysni Gucatit, Jonathan Rees ka kërkuar nga kryetari i turpit gjykues që kjo të shtyhet për në fund të dhënies së dëshmisë së dëshmitares.

Dëshmitarja e cila po dëgjohet sot është koordinatore e hetimit në këtë zyrë dhe është pjesë e ZPS-së prej vitit 2016.

Ajo ka thënë se puna e saj është të intervistojë dëshmitarë, analizojë prova, të shkruar raporte dhe të përgatisë plane të punës dhe se ka qenë e përfshirë në një punë të konsiderueshme lidhur me çështjen OVL-UÇK.

Dëgjimi i saj do të vazhdojë pasdite ndërkohë seanca është në pauzën e drekës.

Ish-krerët e OVL-UÇK akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Ata janë arrestuar më 25 shtator të vitit 2020 në Prishtinë prej kur edhe mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

/KP/

Read Previous

Komuna fillon 3 projekte infrastrukturore

Read Next

Elezi: Balotazhi mbahet katër javë pas raundit të parë