​Rutte: Duhet një Evropë më e fortë për një NATO më të fortë

Credit: NATO

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka bërë thirrje për një “Evropë më të fortë në një NATO më të fortë”, përmes rritjes së shpenzimeve ushtarake, prodhimit të mbrojtjes dhe marrjes së më shumë përgjegjësive nga aleatët evropianë për mbrojtjen e tyre konvencionale.

Deklaratat e tij u bënë gjatë Samitit të vendeve të Bukureshtit 9 dhe aleatëve nordikë, të mbajtur në Bukuresht dhe të bashkëorganizuar nga presidenti i Rumanisë, Nicușor Dan dhe presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki.

Rutte tha se mbledhja e aleatëve të NATO-s, nga Deti i Zi deri në Arktik, dëshmon unitetin dhe vendosmërinë për të qëndruar së bashku përballë çdo kërcënimi.

“Kjo demonstron unitetin dhe vendosmërinë tonë për të qëndruar së bashku dhe për t’u mbrojtur nga çdo kërcënim, nga çdo drejtim”, tha ai, njofton NATO, transmeton KosovaPress.

Në prag të Samitit të NATO-s që do të mbahet në Ankara në muajin korrik, kreu i NATO-s theksoi rëndësinë e forcimit të kapaciteteve mbrojtëse të vendeve evropiane, duke theksuar se kjo duhet të mbështetet edhe nga fuqia amerikane.

Në takimin e djeshëm në Bukuresht mori pjesë edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, me të cilin u diskutua për mbështetjen e mëtejshme ndaj Ukrainës në mbrojtje kundër agresionit rus.

Rutte u bëri thirrje aleatëve që të shtojnë ndihmën përmes iniciativës së NATO-s të quajtur PURL (Prioritised Ukraine Requirements List – Lista e Prioriteteve të Nevojave të Ukrainës, e cila vazhdon të sigurojë pajisje ushtarake amerikane për Ukrainën, të financuara nga vendet aleate dhe partnerët. /KosovaPress/

Read Previous

​Ukshin Hoti, 27 vjet pa gjurmë – një emër që vazhdon të mbetet simbol i rezistencës dhe misterit

Read Next

​Shqipëria performon sonte në finalen e Eurovisionit, vlerësohet interpretimi energjik i Alis Kallaçit