​“Projektbuxheti 2027 jozhvillimor”, Rafuna paralajmëron: Pa investime s’ka zhvillim ekonomik

Projektbuxheti i Kosovës për vitin 2027, në vlerë prej 4.27 miliardë eurosh, po kritikohet për orientimin e pamjaftueshëm drejt investimeve kapitale dhe zhvillimit ekonomik afatgjatë.

Në kohën kur bizneset po përballen me rritjen e çmimeve të energjisë elektrike, derivateve të naftës dhe gazit, si dhe me kosto të larta operative, sektori privat po shpreh shqetësime për konkurrueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e veprimtarisë ekonomike.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, në një intervistë për KosovaPress, ka kritikuar orientimin e projektbuxhetit për vitin e ardhshëm, duke vlerësuar se investimet kapitale mbeten të pamjaftueshme për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e standardit të qytetarëve.

Rafuna: Investimet kapitale në vitin 2027 mbeten të pamjaftueshme për të nxitur zhvillimin ekonomik

“Siç e ka deklaruar edhe Banka Botërore, në buxhet janë të parapara mjetet në kuptimin afatshkurtër, që nuk sjellin zhvillim ekonomik afatgjatë. Kërkesa jonë ka qenë që shuma prej 1 miliard, se shuma e njëjtë ka qenë e paraparë për vitin 2026, e njëjta shumë është për vitin 2027, mirëpo, për dallim prej vitit 2026, tani në vitin 2027 thuajse shuma na është barazuar me çekun e pagave dhe është shumë e vogël për investime kapitale… Investimet kapitale janë shumë të mirëseardhura kur janë projekte për zhvillim ekonomik, që janë projekte me kthim për të mirën që e ngrisin cilësinë dhe standardin e qytetarëve të Republikës së Kosovës.”

Përveç nivelit të mjeteve të planifikuara, Rafuna ka ngritur shqetësime edhe për mosrealizimin e investimeve kapitale. Ai ka vlerësuar se vonesat në hapjen e procedurave të prokurimit janë kryesisht rezultat i neglizhencës institucionale, duke theksuar se projektet publike duhet të nisin që në fillim të vitit.

Sipas tij, investimet kapitale janë të rëndësishme jo vetëm për kompanitë që përfitojnë nga kontratat publike, por edhe për punësimin, rritjen e të ardhurave të qytetarëve dhe tërheqjen e investimeve private.

Rafuna kritikon vonesat në procedurat e prokurimit, kërkon realizim më të madh të investimeve kapitale

“Prej prizmit tonë, më shumë është çështje e neglizhencës. Ne kemi një histori ku, në qoftë se nuk hapen procedurat në fillim të vitit ose nuk u bëhet presion organizatave buxhetore që procedurat të fillojnë qysh herët, atëherë është shumë sfiduese që në pjesën e dytë të vitit të hapen dhe të mbyllen procedurat e prokurimit, për shkak se marrin shumë kohë… Investimet në projekte kapitale ndikojnë shumë për të mirë te bizneset, për shkak se për shumë biznese janë një lloj infuzioni. E dyta, kjo do të reflektonte edhe te qytetarët e Republikës së Kosovës, për shkak se do të kishim një angazhim më të madh të fuqisë punëtore, por do të kishin edhe më shumë të hyra qytetarët. E treta, kur ka investime publike kapitale, ato janë motor për tërheqjen e investimeve të tjera private. Për këtë arsye, është e pafalshme që së paku nuk është shpenzuar ajo shumë që ka qenë e paraparë për shpenzime kapitale.”

Ndërkohë, krahas shqetësimeve për projektbuxhetin, bizneset në Kosovë po përballen edhe me rritjen e kostove të prodhimit dhe operimit. Rafuna ka paralajmëruar se shtrenjtimi i energjisë elektrike, derivateve të naftës dhe gazit po ndikon drejtpërdrejt në çmimin përfundimtar të produkteve, duke rënduar edhe buxhetin e konsumatorëve.

Rafuna: Rritja e çmimeve të energjisë dhe derivateve po rrit kostot e bizneseve dhe produktet për konsumatorët

“Për bizneset është sfidë shumë e madhe rritja e çmimeve. Kur them rritja e çmimeve, e kam fjalën për rritjen e çmimeve të derivateve të naftës, energjisë elektrike dhe gazit, për shkak se këto janë ato që ndikojnë në rritjen e çmimit të produktit final. Për bizneset, rritja e çmimeve të këtyre tri burimeve është rritje e kostove operative dhe kjo reflektohet te produkti final dhe më pas kjo i reflektohet qytetarit të Republikës së Kosovës, i cili është konsumatori i fundit që e blen këtë produkt me çmim të rritur.”

Shqetësim i veçantë për sektorin privat mbetet furnizimi me energji elektrike gjatë sezonit të dimrit dhe çmimi i saj. Kreu i OEK-ut ka bërë të ditur se institucioni që drejton po pranon dhjetëra ankesa nga bizneset, të cilave faturat e energjisë u kanë ardhur 2 deri në 3 herë më të larta krahasuar me muajt paraprakë.

Ai ka kërkuar ndërhyrje urgjente të Qeverisë përmes politikave fiskale, në mënyrë që të ulen kostot operative dhe prodhimet vendore të jenë më konkurruese ndaj produkteve të importuara.

Rafuna: Faturat e energjisë deri në 3 herë më të larta, bizneset kërkojnë zgjidhje

“Tani po hyjmë në sezonin e dimrit. Sfida e parë, pa hyrë në pjesën e dytë të vitit 2027, tashmë veç ka filluar me çështjen e energjisë elektrike. Pyetja e parë që bëhet nga bizneset është: A do të kemi energji elektrike të mjaftueshme, e kam fjalën pa reduktime, dhe e dyta, çmimi? Ja, kur po e bëjmë këtë intervistë, kemi dhjetëra ankesa që na vijnë nga anëtarët e Odës Ekonomike, ku faturat tani u kanë ardhur dy deri në tri herë më të larta sesa i kanë pasur në muajt paraprakë… Duhet që qeveria me urgjencë të punojë në politika fiskale se si mund t’i ndihmojë bizneset që kostoja operative të dalë sa më e lirë, në mënyrë që produkti ynë të mos dalë më i shtrenjtë sesa produktet që importohen, por mundësisht të jetë edhe më i lirë.”

Një tjetër pengesë për zhvillimin ekonomik, sipas Rafunës, është mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar. Ai ka bërë të ditur se një analizë e OEK-ut, e realizuar me 500 biznese, ka identifikuar mungesën e punëtorëve si sfidën kryesore, ndërsa menjëherë pas saj renditet mospërputhja e kualifikimeve me kërkesat e tregut.

Rafuna ka kërkuar reformë të thellë në sistemin arsimor dhe politika që do të ndihmonin në mbajtjen e të rinjve në Kosovë, si dhe në kthimin e diasporës përmes investimeve.

Rafuna: Mospërputhja e arsimit me kërkesat e tregut po vështirëson gjetjen e fuqisë punëtore

“Duhet patjetër një reformë e thellë në sistemin e arsimit, në sistemin e arsimit, për ta lidhur kërkesën e tregut me kualifikimet. Arsimi duhet të lidhet me kërkesat e tregut, gjë që për momentin nuk është. Ne e kemi bërë një analizë si Odë Ekonomike e Kosovës, me një mostër prej 500 bizneseve në kuadër të 19 mijë bizneseve që i kemi, dhe sfida e parë është mungesa e fuqisë punëtore, kurse sfida e dytë, menjëherë pas mungesës së fuqisë punëtore, është që edhe kjo fuqi punëtore që e kemi nuk është e kualifikuar për kërkesat e tregut…05:20Është dashur që qeveria ta ketë një strategji për ta parandaluar shkuarjen e të rinjve tani që i kemi këtu në Kosovë, por duhet të punojë që edhe ata të rinj apo të reja që kanë shkuar jashtë, t’i kthejë në formën e investitorëve, nëpërmjet politikave subvencionuese.”

Projektbuxheti i Kosovës për vitin 2027 është planifikuar të arrijë në 4.27 miliardë euro. Megjithatë, sipas vlerësimeve të kreut të OEK-ut, për zhvillimin ekonomik afatgjatë nuk mjafton vetëm rritja e buxhetit, por nevojitet orientimi i mjeteve drejt investimeve produktive, realizimi në kohë i projekteve kapitale dhe krijimi i kushteve më të favorshme për sektorin privat. /KosovaPress/

Read Previous

​Dogana e Kosovës mbledh mbi 1.7 miliard euro për 10 muaj, ja sa u rritën të hyrat