Qeveria e Kosovës ndalon tregtimin e energjisë elektrike me kompanitë serbe

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë nga Serbia, përfshirë blerjen e energjisë, si kundërpërgjigje ndaj bllokimit të linjave ndërkufitare për tregtim nga ana e Serbisë.

Vendimi u miratua në mbledhjen e Qeverisë, ku kabineti qeveritar votoi pro propozimit për ndërprerjen e tregtimit, përkatësisht blerjes së energjisë elektrike nga kompanitë e Serbisë.

Kryeministri Albin Kurti, në arsyetimin e këtij vendimi, tha se kjo është masa e parë ndaj Serbisë dhe paralajmëroi se mund të ketë hapa të tjerë nëse nuk ndryshon situata.

“Së pari, do të ndalojmë tregtimin e energjisë elektrike me kompanitë serbe, si masë e parë ndaj Serbisë për bllokimin e linjave ndërkufitare për tregtim, e cila mund të përshkallëzohet në të ardhmen, nëse nuk ka reflektim”, deklaroi Kurti.

Përveç ndalimit të tregtimit me kompanitë serbe, Qeveria miratoi edhe dy vendime të tjera që lidhen me përballimin e situatës në sektorin e energjisë elektrike.

Njëri prej tyre parasheh shpalljen e masave emergjente për furnizimin me energji, ndërsa tjetri vendos obligim të shërbimit publik ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për sigurimin e kapaciteteve ndërkufitare të transmisionit.

Kurti bëri të ditur se KEK-u do të obligohet të sigurojë një sasi të kapaciteteve ndërkufitare për muajin dhjetor, me qëllim të përballimit të vështirësive që kanë krijuar bllokimi i linjave të interkonjeksionit 400 kilovolt dhe faktorë të tjerë.

“Gjithashtu, për t’u përballur me vështirësitë e sektorit të energjisë që vijnë nga bllokimi i këtyre linjave të interkonneksionit 400 kilovolt dhe faktorë të tjerë të brendshëm e të jashtëm, sot po i vendosim KEK-ut obligimin publik për të siguruar një sasi të kapaciteteve ndërkufitare për muajin dhjetor”, tha Kurti.

Masat e miratuara përfshijnë edhe obligimin e ndërmarrjes Ibër-Lepenci për ta shitur energjinë elektrike për furnizimin e shërbimit publik.

Tri vendimet e miratuara synojnë të përballojnë sfidat e krijuara në sektorin energjetik dhe të sigurojnë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike në Kosovë. /RTKlive

Read Previous

Haxhiu: Presim sqarime nga Komisioni Evropian për këngët nacionaliste që u kënduan në hapjen e Forumit të zgjerimit të BE-së

Read Next

​Shqipëria shkëlqen në Ligën e Kombeve, Duka: Një edicion fantastik