Kosova ka ndërmarrë një hap të ri në forcimin e mekanizmave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, duke zgjeruar kërkesat për raportimin e kapaciteteve institucionale dhe financiare të angazhuara në këtë fushë.
Ministria e Financave, e udhëhequr nga Hekuran Murati, ka nxjerrë Udhëzimin Administrativ Nr. 03/2026, i cili plotëson dhe ndryshon udhëzimin e vitit 2018 për vlerësimin e rrezikut kombëtar nga pastrimi i parave dhe financimi i terrorizmit.
Sipas dokumentit zyrtar, të siguruar nga KosovaPress, ndryshimet parashohin zgjerimin e raportimit mbi strukturën institucionale dhe procedurat që zbatohen për parandalimin e këtyre veprimtarive.
Në këtë kuadër përfshihen Njësia e Inteligjencës Financiare, autoritetet tatimore dhe prokuroritë, si dhe informacionet mbi burimet njerëzore dhe financiare që janë ndarë për luftimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Udhëzimi përcakton që këto informacione të raportohen për aq sa janë në dispozicion, duke përfshirë edhe procedurat e përgjithshme të institucioneve përgjegjëse.
Një tjetër ndryshim lidhet me raportimin mbi përpjekjet që ndërmerren në nivel kombëtar dhe resurset e angazhuara për këtë qëllim.
Konkretisht, në nenin 4 të udhëzimit ekzistues shtohen 2 paragrafë të rinj, të cilët kërkojnë raportimin e burimeve njerëzore dhe buxhetit të alokuar për luftimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Ndryshimet synojnë të zgjerojnë informacionin që përfshihet në procesin e vlerësimit të rrezikut kombëtar, duke mundësuar një pasqyrë më të plotë të organizimit institucional dhe kapaciteteve të angazhuara në këtë fushë.
Sipas dokumentit, udhëzimi i ri transpozon plotësisht Direktivën e Bashkimit Evropian 2015/849, të ndryshuar me Direktivën 2018/843, që lidhet me parandalimin e përdorimit të sistemit financiar për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.
Udhëzimi Administrativ Nr. 03/2026 hyn në fuqi në ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
Ndryshimet vijnë në kuadër të plotësimit të kornizës ligjore dhe institucionale për vlerësimin e rreziqeve që lidhen me pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit. /KosovaPress/