Dementia është një sëmundje që prek disa zona të trurit dhe dëmton memorien. Kjo sëmundje zakonisht plak një pjesë të trurit duke e përjashtuar atë tërësisht nga funksionet normale.
Për pasojë të gjitha proceset jetësore vështirësohen duke filluar që nga komunikimi i përditëshëm. Forma më e përhapur e dementias është sëmundja e Alzhaimer që zë 60-70% të rasteve.
Sipas të dhënave nga Organizata Botërore e Shëndetit, të cilit i referohet AgroWeb.org sot në botë ka më shumë se 50 milion njerëz të prekur nga kjo sëmundje. Ekspertët shprehen se çdo vit ka rreth 10 milion raste të reja të diagnostikuara me simptoma të ndryshme të dementias.
Teksa numri i të prekurve nga kjo sëmundje rritet mjekët vënë re se mosha e tyre është gjithnjë e më shumë në ulje. E quajtur si “dementia e hershme” ky degjenerim i trurit tashmë prek moshat nga 30 deri në 65 vjeç.
Kjo sëmundje njihet si degjenerative pasi vjen duke u përkeqësuar me kohën dhe fshin memorien afatgjatë dhe afatshkurtër. Një pacient i prekur nga dementia zakonisht ndryshon personalitet dhe sjellje edhe me persona të afërt të familjes.
Megjithëse rastet e zhvillimit të kësaj sëmundje mund të jenë të ndryshme në çdo person shenjat e para që kjo sëmundje jep janë të pagabueshme. Më poshtë AgroWeb.org ju liston disa nga format dhe simptomat më të përhapura të kësaj sëmundje tek moshat e reja.
Alzhaimer është forma më e përhapur e demantias në përgjithësi dhe kjo vlen edhe për moshat e reja. Kjo sëmundje zë 1/3 e të të gjithë të prekurve nga dementia. Vascular Dementia është e dyta në listë për nga format më të përhapura të kësaj sëmundje. Rreth 20% e të rinjve të prekur nga dementia vuajnë pikërisht nga kjo formë e saj.
Në të shumtën e rasteve kjo shfaqet tek personat 45-65 vjeç dhe shfaqet si pasojë e një trashëgimie familjare të sëmundjes. Sindroma Korsakoff zë 10% të të rinjve të prekur nga dementia dhe zakonisht shkaktohet nga mungesa e vitaminës B1 në trup.
Shkaku i dytë lidhet edhe me abuzimin me pijet alkoolike për një kohë të gjatë. Forma të tjera të dementias mund të përfshijnë sëmundje si Parkinsoni apo Huntingtoni të cilat gjithashtu prekin trurin dhe janë degjenerative për trupin.
Dementia njihet gjerësisht si sëmundje që prek dhe dëmton kujtesën, por ka edhe disa shenja të tjera paralajmëruese për këtë sëmundje. Përtej vështirësive me memorien një person në fazat e para të sëmundjes mund të hasë vështirësi të ndryshme.
Vështirësi në të folur
Vështirësi në përzgjedhjen e fjalëve të duhura
Vështirësi në fokusim apo arsyetim
/KP/