Dogana e Kosovës zbuloi mallra të padeklaruara në Vërmicë, vlera mbi 10 mijë euro
Presidentja Vjosa Osmani gjatë vizitës në Bruksel ku po qëndron me ftesë të presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, e ka takuar presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.
Në takim me Metsola, Osmani ka theksuar se Parlamenti Evropian ka shprehur qartë dhe në mënyrë të vazhdueshme vullnetin e popujve të BE-së për t’i hapur rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, si dhe nevojën e përshpejtimit të perspektivës evropiane.
Për këtë si dhe për mbështetjen e vet presidentes Metsola, Osmani ka shprehur mirënjohjen e thellë të popullit dhe të institucioneve të Kosovës.
“Në një diskutim të hapur dhe përmbajtjesor me presidenten e Parlamentit, Roberta Metsola në Bruksel, diskutuam për nevojën që liderët e vendeve anëtare të BE-së ta reflektojnë vullnetin e Parlamentit, si dhe të jepet sinjal i qartë se vendet demokratike, liridashëse dhe të përkushtuara ndaj vlerave evropiane, e kanë vendin në BE”, ka theksuar Osmani pas takimit.
Ndryshe, në takimin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Bruksel, Osmani do ta përçojë mesazhin e qartë të popullit të Kosovës mbi nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit, duke filluar nga liberalizimi i stërvonuar i vizave, deri tek mbështetja për statusin e vendit kandidat për Republikën e Kosovës, pas aplikimit.
Liderë të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në takimin e Brukselit, ndër të tjera do të diskutojnë për procesin e zgjerimit dhe perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.