• 28 May, 2022

​Murati njofton Szunyog për ndihmën që do t’i ofrohet sektorit privat

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog mbajtën një takim njoftues ku u diskutua për agjendën zhvillimore të Qeverisë, me theks të veçantë në ristrukturimin e skemave sociale, luftimin e informalitetit dhe krijimin e Fondit Sovran.

Ministri Murati po ashtu e njoftoi Ambasadorin e Bashkimit Evropian për masat që do të ndërmerren për luftimin e efekteve negative të pandemisë në ekonominë e vendit, dhe për ndihmën që do t’i ofrohet sektorit privat në këtë drejtim nga Qeveria me qëllim të ruajtjes së vendeve të punës dhe shëndetit ekonomik të vendit.

Gjatë takimit u theksua edhe plotësimi i kushteve për disbursim të Mbështetjes Makro-Financiare dhe Mbështetjes Sektoriale Buxhetore të ofruar nga BE-ja për Kosovën.

Sipas një komunikate, të dy përfaqësuesit e institucioneve rikonfirmuan angazhimin e përbashkët për implementim të reformave strukturore ekonomike, si dhe për mbështetje drejt zbatimit të projekteve infrastrukturore të përbashkëta, siç është Rehabilitimi i Termocentralit Kosova B.

Kurse, ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog e njoftoi ministrin Murati për projektet e ndryshme të financuara nga Bashkimi Evropian dhe statusin e tyre, si dhe vlerësoi faktin se Qeveria ka objektiva zhvillimore të ngjashme me ato të Bashkimit Evropian.

Ai po ashtu shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të vazhdueshëm në fusha të interesit të përbashkët.

Read Previous

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar urime nga homologët e saj nga Austria, Hungaria, Finlanda dhe Sllovenia

Read Next

Oda e Afarizmit të Kosovës paraqet problemet e bizneseve para ministres Hajdari