​Lirimi i Haxhi Shalës, deklarohet Gjykata Speciale

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) kanë konfirmuar lirimin me kushte, siç thuhet në komunikatën për media, të ish-komandantit të UÇK-së nga Gjykata Speciale, Haxhi Shala.

Aty thuhet se kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), gjykatësja Ekaterina Trendafilova, ka vendosur të modifikojë dënimin e Haxhi Shalës, duke i mundësuar atij lirimin me kusht, nën kushtet e përcaktuara në vendimin e saj.

Sipas vendimit, kushtet e lirimit do të vazhdojnë të zbatohen për pjesën e mbetur të dënimit prej tre vitesh. Haxhi Shala është liruar dhe është kthyer në Kosovë më 10 shkurt 2026, për çka KosovaPress raportoi pak më herët.

Në arsyetimin e saj, Trendafilova ka marrë parasysh disa faktorë, përfshirë shenjat e rehabilitimit të treguara nga Shala, si dhe një letër që ai i kishte dërguar asaj, në të cilën shprehte keqardhje ndaj të gjithë atyre që mund të kenë pësuar dëm si pasojë e veprimeve të tij.

Po ashtu, janë vlerësuar marrëdhëniet e tij pozitive familjare, mjedisi i qëndrueshëm i jetesës dhe rrjeti i gjerë shoqëror, të cilat, sipas vendimit, tregojnë një perspektivë të arsyeshme rehabilitimi.

Kryetarja e DHSK-së ka theksuar se, ndonëse veprat penale për të cilat Shala është shpallur fajtor janë të rënda, letra e tij është shkruar me nismë personale, pa ndihmë ligjore dhe pas një periudhe reflektimi.

“Kryetarja Trendafilova mori parasysh se z. Shala kishte treguar disa shenja rehabilitimi dhe se i kishte dërguar asaj një letër në të cilën shprehte keqardhje ndaj të gjithë atyre që mund të kishin pësuar dëm si pasojë e veprimeve të tij. Ajo mbajti parasysh gjithashtu marrëdhëniet familjare pozitive të z. Shala, mjedisin e qëndrueshëm të jetesës dhe rrjetin e gjerë shoqëror, që tregojnë perspektivë të arsyeshme rehabilitimi. Kryetarja gjykoi se, ndonëse veprat penale për të cilat ai u shpall fajtor janë të rënda, z. Shala e kishte shkruar letrën me nismën e vet dhe pa ndihmë ligjore, pas një periudhe reflektimi. Ajo konstatoi se letra e tij ishte shenjë e distancimit të sinqertë nga veprat penale për të cilat u shpall fajtor”, thuhet në komunikatë.

Në vendim theksohet gjithashtu se procedurat për uljen, modifikimin apo ndryshimin e dënimit, të parashikuara në nenin 51(2) të Ligjit për DHSK-në, janë procedura individuale dhe se vuajtja e dy të tretave të dënimit nuk përbën të drejtë automatike për ulje apo ndryshim të dënimit, por vetëm mundëson shqyrtimin e një mundësie të tillë.

Vendimi i plotë është publikuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës. /KosovaPress/ 

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Read Previous

Raphinha për Yamal: Jam i sigurt se ai do të fitojë të gjitha çmimet individuale

Read Next

Lirohen me kusht Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu