Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka afruar Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), duke e emëruar nënkryetare të kryeqytetit Besianë Musmuartin.
Kështu ka njoftuar vetë Rama në rrjetin social Facebook, pak pasi Lidhja Demokratike e Kosovës mohoi të ketë një marrëveshje me PDK-në për bashkëqeverisje në Prishtinë.
“Po fillojmë një bashkëpunim të ri politik në Kryeqytet edhe me Partinë Demokratike të Kosovës me qëllim zhvillimin e Prishtinës, për të mirën e qytetarëve të saj dhe të Kosovës”, ka shkruar Rama në Facebook.
Ai është zotuar për qeverisje që tejkalon interesat partiake, duke thënë se kanë vënë në dispozicion kapacitetet profesionale dhe njerëzore për realizimin e projekteve strategjike në dobi të qytetarëve dhe të mirës publike.
“Nga sot, Besianë Musmurati emërohet në pozitën e Nënkryetares së Kryeqytetit, duke sjellë me vete përvojë të gjerë institucionale dhe ndërkombëtare. Me një angazhim mbi një dekadë në fusha si diplomacia, politika publike dhe menaxhimi institucional, ajo ka kontribuar në avancimin e proceseve vendimmarrëse dhe përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Përvoja e saj në Kryeqytet, veçanërisht në drejtimin e Arsimit, ka lënë gjurmë në përmirësimin e cilësisë dhe krijimin e kushteve më të mira për nxënësit dhe mësimdhënësit”, ka shkruar ndër të tjera Rama. /KosovaPress/