​Laporta: Rikthimi në “Camp Nou” ende në pritje

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka dhënë një tjetër përditësim lidhur me punimet në “Camp Nou”, ndërsa vonesat për rikthimin e skuadrës në stadiumin historik vazhdojnë.

Në një prononcim nga Parisi, ku mori pjesë në ceremoninë e “Topit të Artë”, Laporta konfirmoi se për momentin nuk ka një datë të qartë për rikthimin e skuadrës në shtëpinë e saj. Ai sqaroi se ndeshja e Ligës së Kampionëve ndaj Paris Saint-Germain, më 1 tetor, do të zhvillohet në Montjuic.

“Po punojmë për këtë. Varemi nga ajo që thotë Këshilli i Qytetit. Por e kemi bërë punën: kemi certifikatën përfundimtare të ndërtimit, certifikatën e kontrollit të ndërtimit, raportin e zjarrfikësve, raportin mjedisor… La Liga dhe UEFA kanë thënë se fusha është gati për të luajtur dhe po presim lejen fillestare të përdorimit,” tha Laporta.

Presidenti i Barcelonës shtoi se klubi tashmë ka përmbushur të gjitha kërkesat teknike dhe ligjore, por procesi varet nga autoritetet lokale:

“Këto janë procese që duhet të kryhen dhe ne nuk duam të ushtrojmë më shumë presion mbi to sesa është e nevojshme, por jemi shumë afër. Do të shohim se çfarë do të thonë zyrtarët e Këshillit Bashkiak pas vizitave të tyre. Jemi të përgatitur për çdo gjë sepse kemi bërë të gjitha veprimet që na kanë kërkuar.”

Barcelona vijon ta ketë të paqartë rikthimin në “Camp Nou”, duke qëndruar ende në pritje të dritës jeshile nga institucionet përkatëse. /KosovaPress/

Read Previous

​Përdorimi i paracetamolit për gratë shtatëzëna mbetet i pandryshuar në BE

Read Next

Asnjë cent më shumë: Ngritja e tarifës së energjisë nga ZRRE ka ndikuar në rritjen e çmimeve