​Kurti jep detaje për strategjinë e mbrojtjes në apel për ish-krerët e UÇK-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë detaje për punën që pritet të bëjë grupi punues për hartimin e strategjisë shtetërore për mbështetjen e mbrojtjes së ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fazën e apelit në Hagë.

Në seancën plenare të Kuvendit, Kurti tha se grupi do të bashkëpunojë drejtpërdrejt me ekipet mbrojtëse për të identifikuar nevojat për dokumentacion, ekspertizë profesionale dhe mbështetje institucionale. Ai theksoi se në këtë proces do të përfshihen edhe ekspertë vendorë e ndërkombëtarë.

“Grupi do të bashkëpunojë me ekipet mbrojtëse për identifikimin e nevojave për dokumentacion, ekspertizë profesionale dhe mbështetje institucionale, duke përfshirë ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, sipas nevojave. Pjesë themelore e punës do të jetë sistemimi dhe analizimi i dokumentacionit historik, juridik dhe gjyqësor, përfshirë aktgjykimet e Tribunalit Penal për ish-Jugosllavinë, lidhur me krimet e kryera gjatë luftës nga Serbia në Kosovë. Kjo bazë ndërkombëtare do t’i shërbejë mbështetjes së mbrojtjes dhe një komunikimi ndërkombëtar të qëndrueshëm, të mbështetur në fakte dhe argumente. Këtë proces e kemi konceptuar si angazhim gjithëinstitucional dhe mbipartiak. Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe lufta çlirimtare e popullit janë trashëgimi e përbashkët dhe përgjegjësia për mbrojtjen e së vërtetës së saj shkon përtej mandateve qeverisëse dhe dallimeve partiake”, tha ai.

Kreu i Qeverisë foli edhe për aspektin financiar të kësaj strategjie, duke theksuar se përcaktimi i kostos duhet të vijë pasi të jenë hartuar strategjia, mekanizmat dhe masat konkrete të mbështetjes.

“Aty do të përfshihen të gjitha linjat e nevojshme për secilën fushë, por edhe për mbështetjen financiare për katër ish-krerët e UÇK-së. Të keni parasysh se së pari duhet strategjia shtetërore dhe pastaj kostoja. Njëherë vjen ideja, vizioni, mekanizmat dhe masat, e pastaj kostoja e tyre. Jo kostoja para mekanizmave dhe vizionit. Së dyti, duhet t’ia lëmë punën këtij grupi punues, prandaj e kemi formuar. Unë nuk mund të bëhem zëdhënës paragjykues i këtij grupi punues. Duhet të presim që ata t’i mbajnë takimet dhe të na sjellin rezultatet e punës. Grupi është gjithëpërfshirës”, theksoi Kurti.

Këto komente Kurti i bëri pas pyetjeve parlamentare të deputetes së PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi. /KosovaPress/

Read Previous

Zelensky: Ndihem i tradhtuar nga SHBA-ja

Read Next

​Haradinaj kërkon bashkim të opozitës kundër Kurtit, thotë se UÇK-ja është në themel të shtetit