​Krasniqi: Qeveria urgjentisht të merret me trajtimin e ekonomisë

Trajtimi i problemeve ekonomike, shqyrtimi i marrëveshjeve me Bashkimin Evropian dhe vendet e rajonit për liberalizimin e tregut, ligji për tregti të brendshme dhe krijimi i Gjykatës Komerciale, janë ndër rastet urgjente me të cilat Qeveria Kurti duhet të merret. Kështu ka thënë për KosovaPress, kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skender Krasniqi.

Krasniqi thotë se fillimisht Qeveria e re duhet të merret me trajtimin e problemeve ekonomike në mënyrë që të ketë zhvillim ekonomik dhe ndalje të rritjes së papunësisë në vend.

Ai për KosovaPress ka treguar edhe se në kontuinitet si Odë Afarizmit të Kosovës kanë kërkuar edhe që të përkrahet prodhimi vendor.

Krasniqi kërkon që të shqyrtohen vendimet dhe marrëveshjet e arritura me BE-në, meqë thotë se këto marrëveshje veçse e kanë dëmtuar prodhimin vendor. Ai ka theksuar se marrëveshjet kanë qenë keq të negociuara nga shteti i Kosovës e që i kanë dëmtuar bizneset dhe buxhetin e shtetit.

Krasniqi ka përmendur edhe ligje të tjera me të cilat thotë se duhet të merret Qeveria e re.

Veç këtyre, Krasniqi potencoi nevojën që të krijohet Gjykata Komerciale, gjykatë kjo që u përmend nga qeverisja e kaluar por që nuk u bë asgjë në këtë drejtim. Për çka tha se bizneset kanë nevojë për këtë gjykatë, duke shtuar edhe se shteti duhet të jetë mbrojtës i bizneseve e jo shkatërrues./KosovaPress

Read Previous

Petković: Shqiptarët po vijnë për vaksinim në Serbi

Read Next

Gjendet i vdekur pas nëntë viteve në banesen e tij