Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar masë paraburgimi prej 30 ditësh për të dyshuarit për shantazh – A.T dhe V.H si dhe ka njoftuar se ka marrë aktvendimin për fillimin e hetimeve.
Sipas kërkesës së Prokurorisë të dorëzuar në Gjykatën Themelore në Gjakovë, ndër të tjera ceket se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit A.T dhe V.H, ditë me parë e deri me datën 18 korrik “të koordinuar paraprakisht në mes vete me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, kanosin personin tjetër – të dëmtuarën B.H., se do të zbulojnë diçka në lidhje me të, që do të dëmtojë rëndë nderin dhe autoritetin e saj”.
Prokuroria tha se “pasi e pandehura V.H një javë me parë e kishte telefonuar të dëmtuarën, duke iu drejtuar me fjalët ‘unë kam fakte qe ti ke kaluar me 2 – 3 persona dhe nëse nuk mi dërgon 5000 euro këto prova do të ia dërgoj burrit tënd’, në ditën kritike e kishte telefonuar përsëri duke i thënë ‘A vendose për pare’”.
Tutje, thuhet se e dëmtuara “me qëllim që të kuptoj se çfarë po ndodh” i kishte pyetur se ku dëshiron t’ia dërgoj paratë.
Pastaj e pandehura e udhëzon atë t’i dërgojë paratë në një qendër tregtare dhe t’i vendos mes rrobash.
Sipas prokurorisë, gjatë kësaj kohe, e pandehura kishte mbajtur vazhdimisht kontakt me A.T duke e njoftuar për veprimet e saj. Ai i kishte thënë se po niset drejt qendrës tregtare.
Më pas, e pandehura, e cila ishte bashkë me vajzën e saj 9 vjeçare, kishte marrë paratë ashtu siç I kishte vendosur e dëmtuara në rroba.
“Dhe pasi gjen aty zarfin e merr, e fut në xhep dhe fillon të largohet por që pasi zbret në katin e dytë verën një zyrtar policor dhe tenton të largohet duke e hedhur zarfin në tokë të cilën ende nuk e kishte hapur por që aty ndalohet nga zyrtaret policor ku pas pak çastesh arrestohet edhe i pandehuri A.T., i cili kishte ardhur aty”, sipas njoftimit të Prokurorisë.
Për këto veprime, ata akuzohen për veprën penale “Shantazhi”.