GTA 6 pritet të sjellë fitime rekord, parashikohen miliona porosi paraprake
Në Dhomat e Specializuara në Hagë dëshminë e tij e ka vazhduar sot ish i dërguari i posaçëm i SHBA-së gjatë kohës së luftës në Kosovë, Christopher Hill. Sot në gjykatoren e Hagës tha se nuk ka dëgjuar atë kohë që ish-presidenti, Hashim Thaçi kishte urdhëruar aktivitete të paligjshme të cilat i ngarkohen me këtë aktakuzë.
Edhe sot Hill në gjykatore u shoqërua nga përfaqësuesja e Departamentit të Shtetit Amerikan.
Në pjesën e parë të seancën së sotme ish-diplomati amerikan, Christopher Hill iu përgjigj pyetjeve të mbrojtjes së Thaçit, Luka Misetiq.
Hill tha se duke ditur se Thaçi po qëndron në burg për akuzat për krime lufte e ndjeu që të thotë atë që di për atë periudhë.
“Koha nuk i shëron të gjitha plagët por mendoj se pas 25 vitesh është kohë e madhe që të mendohet gjërat dhe nuk kam arsye të besoj që zotëri Thaçi ishte i përfshirë në vendime të tilla nuk kam arsye të besoj dhe nuk kam dëgjuar në atë kohë që ai të ketë urdhëruar aktivitete të tilla apo veprimtarit të tilla të paligjshme dhe, mesa siç e kuptoj unë, ai është mbajtur i burgosur për një kohë të caktuar lidhur me këto çështje pra ndjeva kur m’u kërkua kjo njerëzit më kontaktuan mua dhe ndjeva se duhet të thosha atë që dija lidhur me situatën”, tha ai.
I pyetur nwse kishte komunikuar me ish-presidentin Thaçi nw kohwn e bombardimeve tw NATO-s, Hill mohoi këtë. Por shtoi se gjatë periudhës së bombardimeve të NATO-s, ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova ishte mbajtur në Beograd pa dëshirën e tij.
“Kur thash se po punoja në Maqedoni në një moment të caktuar gjatë fushatës së bombardimeve, Rugova i cili ishte mbajtur kundër dëshirës së tij në Beograd shkoi në Vatikan ai u lirua nga Beogradi dhe shkoi në Vatikan… Mua m’u kërkua që ta takoj dhe ta kuptoj se cilat ishin synimet e tij dhe qëllimet e tij nëse po planifikonte që të jepte ndonjë deklaratë publike lidhur me fushatën e bombardimeve. Unë bëra këtë gjë, ai nuk kishte planifikuar të bënte deklarata publike dhe u ktheva në Shkup”, tha ai.
Gjatë dëshmisë së tij tutje Hill deklaroi se menjëherë pas takimit në Kumanovë forcat serbe ushtarake dhe policore kishin filluar të largohen nga Kosova dhe NATO po zbarkonte në Kosovë.
“Për atë sa kisha mundësi të shihja në ato ditët e menjëhershëm e pas takimit në Kumanovë, serbët kishin filluar të largoheshin nga Kosova, forcat njësitë policore dhe ushtarake filluan të tërhiqeshin nga Kosova, NATO filloi të futej në Kosovë ku ishte vendosur paraprakisht në Maqedoni dhe lëviznin nga Maqedonia në Kosovë dhe filloi të patrullonte situatën në Kosovë”, deklaroi ai.
Ai konfirmoi se presidenti amerikan, Bill Clinton në verën e viti 1999 kishte vizituar Maqedoninë e Veriut ku falënderoi autoritet maqedonase për pranimin e refugjatëve.
Në pyetjen e mbrojtësit të Thaçit se a iu kishte kërkuar që të intervistohet nga prokurorët apo edhe avokatët e mbrojtjes për çështje të krimeve të luftës, ish-diplomati amerikan tha se gjatë periudhës 2002-2003 derisa ishte duke shërbyer si ambasador në Poloni i ishte kërkuar një gjë e tillë, por ai kishte kërkuar që të vazhdonte funksionet e tij aktuale që i kishte.
“Disa vite më vonë po e them këtë para 2002-2003 kur isha ambasador në Varshavë mu kërkua të dëshmoj në Tribunal për krime lufte. Punoja si nëpunës i jashtëm dhe isha ambasador në Poloni dhe ndonëse nuk e refuzova bisedën me personin e Departamentit të Shtetit nuk e refuzova këtë gjë megjithatë bisedova me personat përgjegjës në Departamentin e Shtetit dhe thash se preferoja të vazhdoja me funksionet e mija aktuale që i kisha dhe pra që të vazhdoja si ambasador në Poloni”, theksoi ai.
Pas përfundimit të marrjes në pyetje nga avokati i Thaçit, Luka Misetiq, seanca gjyqësore ku po dëshmon Chrisopher Hill po vazhdon me marrjen në pyetjeve nga mbrojtja e Jakup Krasniqi.
Ish-diplomati amerikan, Christopher Hill dëshminë e tij para gjykatores në Hagë e nisi dje ku tregoi se si kishte nisur të mirrej me çështjen e Kosovës. Ai tha se kjo ishte kërkesë e ish sekretares amerikane, Madeline Albright që ia bëri atij në atë kohë.
Ish-diplomati amerikan, Christopher Hill është dëshmitari i radhës në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në gjykimin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Hill i cili mban kodin 1DW-008, është dëshmitari i pestë i thirrur nga mbrojtja e Hashim Thaçit e cila përfaqësohet nga avokati Luka Mishetiq. Ndërsa, kanë mbetur veç edhe dy dëshmitarë për tu dëgjuar.
Kujtojmë se Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020. Ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime të pretenduara të luftës për çka janë deklaruar të pafajshëm. /KosovaPress/
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.