Kuvendi i Kosovës është i konstituar dhe po presim votimin e qeverisë së re, tha nënkryetarja e legjislativit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, pa treguar nëse kanë siguruar votat.
Këtë koment ajo e bëri pas pyetjeve në lidhje me ankesën e Listës Serbe në Gjykatën Kushtetuese dhe mundësinë që Kushtetuesja të pezullojë rrjedhën e afatit për formimin e qeverisë duke vendosur masë të përkohshme.
Lista Serbe ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Kushtetuese më 16 tetor, ku pretendojnë se me zgjedhjen e Nenad Rashiq si nënkryetar janë shkelur Kushtetuta, rregullorja e punës së Kuvendit, si dhe një aktgjykim i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese.
Kuvendi i ri i Kosovës u konstituua më 10 tetor, me zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar nga radhët e komunitetit serb. Zgjedhja e tij u bë pasi të nëntë deputetët e Listës Serbe, ndonëse u hodhën nga tri herë në votim, nuk morën votat e nevojshme.
“Kuvendi është i konstituar. Kjo është shumë e rëndësishme dhe presim votimin e qeverisë”, tha ajo.
Haxhiu bashkë me kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, morën pjesë të hënën në marshin kundër kancerit të gjirit, në kuadër të manifestimit tradicional me moton “Zbulimi i hershëm – mbijetesë”, nën patronatin e presidentes Vjosa Osmani.
Kjo bëri që kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, të jetë më i rezervuar për të komentuar ankesën e Listës Serbe në Kushtetuese. Megjithatë, ai tha se në këtë institucion kanë të drejtë të ankohen të gjithë.
“Jemi për një kauzë tjetër… Kanë të drejtë të ankohen të gjithë në Gjykatën Kushtetuese”, theksoi Basha.
Ai u pyet nga gazetarët edhe në lidhje me arritjen e një koalicioni për balotazh mes LVV-së dhe LDK-së në Komunën e Vushtrrisë, mirëpo tha se për këtë çështje flasin partitë politike dhe jo ai.
“Për atë flasin subjektet politike, nuk flas unë. Mundeni me u drejtu në Vushtrri dhe te kryeministri”, theksoi Basha. /KosovaPress/