Rritje prej 10 për qind e vizitorëve në hotelet e Kosovës gjatë gushtit
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka theksuar se miratimi i ligjeve dhe përmbushja e standardeve ndërkombëtare nuk mjaftojnë për të garantuar integritetin financiar, nëse nuk dëshmohet se ato zbatohen dhe sistemi funksionon në praktikë.
Në eventin e organizuar nga Ministria e Financave, me temën “Beyond Compliance – Ndërtimi i ekonomive të qëndrueshme përmes integritetit financiar”, Murati ka folur për masat që po ndërmerren në Kosovë për të parandaluar transaksionet e paligjshme dhe për të rritur transparencën në aktivitetet ekonomike.
Ai ka theksuar se një nga masat është kufizimi i pagesave me para të gatshme, të cilat, sipas tij, janë më të vështira për t’u gjurmuar dhe mund të përdoren për financim të paligjshëm.
“Ky është thelbi i temës së sotme, “Përtej përputhshmërisë me rregullat”. Natyrisht, rëndësi ka të kemi ligjet e duhura dhe të përmbushim standardet ndërkombëtare, por ligjet në letër nuk tregojnë nëse sistemi funksionon vërtet. Prova e vërtetë qëndron në atë që ndodh më pas. Dëshiroj të ndaj shkurtimisht me ju disa nga masat që po ndërmarrim në Kosovë. Një nga mënyrat më të thjeshta për të vepruar, një masë që mund të zbatohej relativisht lehtë, ishte trajtimi i çështjes së pagesave me para të gatshme. Këto pagesa zakonisht nuk mund të gjurmohen, ose gjurmimi i tyre është i vështirë, dhe ato mund të përdoren për financim të paligjshëm”, ka thënë Murati.
Murati ka përmendur edhe zhvillimet në fushën e kriptovalutave, duke thënë se Banka Qendrore e Kosovës ka ndërmarrë hapa për të vendosur nën kontroll dhe për të licencuar operatorët e këmbimit të kriptovalutave.
Megjithatë, ministri ka theksuar se luftimi i flukseve të paligjshme financiare kërkon bashkëpunim ndërkombëtar, pasi paratë e përfituara në mënyrë të paligjshme mund të kalojnë lehtësisht përtej kufijve.
Ndërsa ka theksuar se kanë ulur edhe kufirin e pagesave me para të gatshme ndërmjet bizneseve.
“Ne e kemi ulur kufirin e pagesave me para të gatshme ndërmjet bizneseve nga 500 në 300 euro. Ndërsa për transaksionet ndërmjet bizneseve dhe konsumatorëve, kufiri i pagesave me para të gatshme tani është 2 mijë euro. Pjesa tjetër mund të kryhet, ose duhet të kryhet, përmes një transaksioni të gjurmueshëm në një institucion financiar të licencuar në vend. Përveç kësaj, së fundmi ka pasur zhvillime edhe në fushën e përgjegjësisë së Bankës Qendrore. Ajo ka ndërmarrë hapa për të vënë nën kontroll dhe për të licencuar edhe operatorët e këmbimit që përdorin kriptovaluta. Kjo, natyrisht, mund të ndihmojë që pagesat dhe transaksionet të bëhen digjitale, të gjurmueshme dhe më transparente. Në këtë mënyrë, mbështetet edhe konkurrenca e ndershme dhe ndihmohet kalimi i më shumë aktivitetit ekonomik në ekonominë formale, aty ku i takon. Megjithatë, asnjë masë e vetme, asnjë institucion dhe, aq më pak, asnjë shtet nuk mund ta bëjë këtë i vetëm. Paratë e përfituara në mënyrë të paligjshme kalojnë shumë lehtë përtej kufijve, prandaj edhe bashkëpunimi ynë duhet të jetë po aq i lehtë dhe efikas”, tha ai.
Ndërkaq, ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj, ka vlerësuar se integriteti financiar nuk është vetëm çështje teknike, por edhe domosdoshmëri ekonomike dhe e sigurisë, si dhe parakusht për integrimin evropian.
Ai ka theksuar rëndësinë e Procesit të Berlinit për avancimin e prioriteteve të përbashkëta rajonale, përfshirë rritjen ekonomike gjithëpërfshirëse, konkurrueshmërinë, sigurinë dhe qëndrueshmërinë.
“Kjo qasje ambicioze lidhet drejtpërdrejt me katër prioritetet strategjike të kryesimit të Malit të Zi në Procesin e Berlinit, rritjen ekonomike gjithëpërfshirëse dhe konkurrueshmërinë, sigurinë dhe qëndrueshmërinë, si dhe tranzicionin e gjelbër dhe të qëndrueshëm… Procesi i Berlinit ofron një platformë thelbësore për avancimin e këtyre prioriteteve, duke bashkuar qeveritë, organizatat rajonale, shoqërinë civile, ekspertët dhe sektorin privat rreth sfidave të përbashkëta dhe zgjidhjeve praktike. Prandaj, integriteti financiar është më shumë sesa një çështje teknike. Ai është një domosdoshmëri ekonomike dhe e sigurisë, si dhe parakusht për të ardhmen evropiane që synojmë të ndërtojmë”, tha ai.
Në këtë aktivitet, zëvendësambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Silke Bellmann, ka theksuar se luftimi efektiv i flukseve të paligjshme financiare kërkon transparencë, inovacion dhe partneritet.
“Për të ndërprerë në mënyrë efektive flukset e paligjshme financiare, duhet të përqendrohemi në tri shtylla kryesore. Së pari, transparenca. Duhet të mbyllim zbrazëtitë ligjore që u mundësojnë kriminelëve të fshihen pas kompanive fiktive anonime dhe të sigurojmë transparencë të mirëfilltë mbi pronësinë përfituese…Së dyti, inovacioni. Duhet ta shfrytëzojmë teknologjinë, duke përdorur analizën e avancuar të të dhënave dhe inteligjencën artificiale për të identifikuar parregullsitë dhe për të gjurmuar rrjetet kriminale në kohë reale. Së treti, partneriteti. Duhet t’i kapërcejmë barrierat ndërmjet institucioneve dhe sektorëve. Kjo nënkupton bashkëpunim më të thellë ndërmjet sektorit publik dhe atij privat, si dhe shkëmbim më të fuqishëm të informacioneve përtej kufijve”, tha ajo. /KosovaPress/