​FBK me plan të ri për zhvillimin e gjeneratave të reja

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka mbajtur takim me koordinatorët rajonalë, në kuadër të përgatitjeve për zbatimin e programit për Identifikimin e Talentit dhe Zhvillimin Afatgjatë të Lojtarëve (LTAD).

Ky program është pjesë e Strategjisë së FBK-së 2026–2030 dhe synon identifikimin e hershëm të talenteve, zhvillimin e tyre gradual dhe krijimin e mundësive të barabarta për fëmijët dhe të rinjtë në të gjitha rajonet e Kosovës.

Në takim morën pjesë koordinatorët e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës, Prizrenit dhe Gjilanit, ndërsa Gjakova përfaqësohet nga Dorant Hana, i cili mungoi për shkak të qëndrimit jashtë vendit. Të pranishëm ishin edhe drejtori i Projekteve dhe Programeve Zhvillimore të FBK-së, Granit Rugova, si dhe përfaqësues të Shoqatës së Trajnerëve dhe trajnerë të federatës.

Gjatë takimit u diskutuan përgjegjësitë e koordinatorëve, plan-programi i punës dhe hapat konkretë për nisjen e aktiviteteve në gjashtë rajonet e Kosovës.

Një prej objektivave kryesore është që programi LTAD të ndërlidhet me krijimin e identitetit të lojës së Përfaqësueseve të Kosovës, në mënyrë që gjeneratat e reja të zhvillohen sipas parimeve të përbashkëta teknike, taktike dhe edukative.

FBK ka bërë të ditur se në periudhën e ardhshme do të vazhdojë përgatitjet për fillimin e grumbullimeve dhe aktiviteteve rajonale, në bashkëpunim me klubet, trajnerët dhe institucionet përkatëse. /KosovaPress/

Read Previous

”Financial Times”: Hegseth bllokon dërgimin e 60 raketave “Patriot” për Ukrainën

Read Next

Zelensky: Emisarët e Trumpit po bëjnë presion për arritjen e një marrëveshjeje paqeje sa më shpejt