​De la Fuente: Më e mira e Yamal ende nuk ka ardhur

Trajneri i Kombëtares së Spanjës, Luis de la Fuente, ka deklaruar se sulmuesi Lamine Yamal ende nuk e ka shfaqur potencialin e tij maksimal në Kupën e Botës, por beson se momenti i tij mund të vijë në përballjen çerekfinale kundër Belgjikës, e cila zhvillohet sot në Los Anxhelos.

Yamal, i cili ishte një nga protagonistët kryesorë në triumfin e Spanjës në Kampionatin Evropian dy vjet më parë, deri tani ka realizuar vetëm një gol dhe nuk ka regjistruar asnjë asistim në këtë Botëror. Megjithatë, ai ka qenë vazhdimisht kërcënim për mbrojtjet kundërshtare, duke vepruar kryesisht në krahun e djathtë të sulmit.

De la Fuente theksoi se versioni më i mirë i talentit 18-vjeçar ende nuk është parë në këtë turne.

“Ne e dimë se versioni më i mirë i tij, Lamine sulmues, është diçka që ende nuk e kemi parë në këtë Kupë të Botës. Jo në nivelin me të cilin jemi mësuar”, deklaroi ai.

Trajneri spanjoll rikujtoi edhe paraqitjen e Yamal në fitoren 1-0 ndaj Portugalisë në fazën e kaluar, të cilën e kishte cilësuar si një nga performancat më të mira të futbollistit të ri.

Duke sqaruar këtë vlerësim, De la Fuente tha se presioni i vazhdueshëm i Yamal ndaj mbrojtësit portugez Nuno Mendes ndikoi që ky i fundit të largohej nga fusha për shkak të lëndimit.

“Po përballeshim me një kundërshtar shumë të fortë dhe mbrojtësi që e markonte në fund u detyrua të bënte aq shumë punë, sa u lëndua”, u shpreh ai.

Sipas trajnerit, Botërori po i shërben Yamalit edhe për zhvillimin e tij personal dhe profesional.

“Ai nuk ka nevojë për motivim shtesë. Përkundrazi, ndonjëherë duhet ta qetësojmë intensitetin e tij. Është shumë i motivuar dhe dëshiron të bëjë gjithçka”, tha De la Fuente.

Spanja ende nuk ka pranuar asnjë gol në këtë Kupë të Botës, por në çerekfinale do të përballet me Belgjikën, e cila në raundin e kaluar shënoi katër gola ndaj Shteteve të Bashkuara.

I pyetur nëse ndeshja ndaj Belgjikës mund të jetë momenti kur Yamal do të rikthehet te golat, De la Fuente u shpreh optimist.

“Ai do të kontribuojë në aspektin sulmues, kjo është shumë e qartë. Ka potencial të jashtëzakonshëm dhe, sigurisht, në disa aspekte më e mira prej tij ende nuk ka ardhur”, përfundoi trajneri i Spanjës.

Ndeshja mes Spanjës dhe Belgjikës do të zhvillohet sot me fillim nga ora 21:00. /KosovaPress/

Read Previous

Lego ndërton trofeun gjigant të Kampionatit Botëror me 1.3 milionë tulla