​Albulena Haxhiu pritet të propozohet sërish për kryetare të Kuvendit

Lëvizja Vetëvendosje do propozojë Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit.

KosovaPress ka mësuar se LVV-ja do të propozojë emrin e kryetarit të legjislativit për t’i hapur rrugë konstituimit të legjislaturës së njëmbëdhjetë.

Sot do të mbahet vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit, pasi në dy tentime paraprake në muajin gusht, LVV-ja kishte kërkuar kohë për të arritur marrëveshje politike për çështjen e presidentit.

Ndërkohë, KosovaPress ka mësuar nga burime brenda LVV-së se ka ende pikëpyetje nëse sot do të formohet edhe qeveria e re.

LVV dhe LDK më 31 gusht kishin arritur marrëveshje që Bekim Sejdiu të propozohet për president të vendit. Këto dy parti, bashkë me minoritetet jo-serbe, i kanë 80 vota të nevojshme për ta zgjedhur presidentin.

Mirëpo, në mbledhjen e Grupit Parlamentar të LDK-së më 1 shtator u bë e ditur se gjashtë deputetë të kësaj partie nuk do të mundësojnë zgjedhjen e Sejdiut për president.

Pavarësisht kritikave se Kuvendi nuk është konstituuar brenda afatit tridhjetëditor, PDK dhe LDK kanë konfirmuar se deputetët e tyre do të jenë të pranishëm në Kuvend. /KosovaPress/ 

Read Previous

​SHBA-ja sanksionon të gjitha linjat ajrore të Iranit

Read Next

Haziri thotë se LDK do të votojë çdo kandidat të VV-së për kryetar të Kuvendit