Një burrë është arrestuar pasi dyshohet se, duke u prezantuar përmes telefonit si toger i Policisë, ka mashtruar një grua në Fushë Kosovë, së cilës i ka marrë 450 euro me arsyetimin se paratë nevojiteshin për blerjen e peletit.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 15 tetor, rreth orës 15:55, në rrugën “Dardania”, ndërsa është raportuar një ditë më vonë.
I dyshuari i kishte kërkuar gruas përmes telefonit që shumën t’ia dorëzonte një personi tjetër. Pasi ajo i kishte dhënë paratë, i dyshuari ishte larguar me veturë në drejtim të panjohur.
Policia njofton se veturën ai e kishte marrë me qira disa ditë më parë në Gjilan dhe nuk ia kishte kthyer personit që ia kishte dhënë në shfrytëzim.
Njësitet policore e kanë identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin, duke gjetur edhe automjetin që dyshohet se po e keqpërdorte.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje. /KosovaPress/