Nga Ksamili te Alpet, “Skyscanner” promovon Shqipërinë si destinacionin më ekonomik për pushime
Gazeta New York Times njoftoi se ka ngritur padi kundër Departamentit amerikan të Luftës dhe sekretarit të Luftës Pete Hegseth, pas vendosjes së kufizimeve të reja për mediat në Pentagon nga administrata Trump.
Gazetarëve të akredituar për të mbuluar Pentagonin iu kërkua në tetor të pranonin rregulla të reja, sipas të cilave nuk lejoheshin të kërkonin informacion që nuk ishte miratuar paraprakisht nga Hegseth, shkruan Guardian.
Masat shtesë kishin për qëllim edhe kufizimin e lëvizjes së tyre brenda selisë së komandës ushtarake në Arlington, Virxhinia, përballë Uashingtonit, përtej lumit Potomac. Si pasojë, shumë media të mëdha ia kthyen kredencialet e tyre në shenjë proteste.
Zëdhënësi i New York Times, Charlie Stadtlander, deklaroi se ky vendim “është një përpjekje për të ushtruar kontroll mbi raportimet që qeveria nuk i pëlqen”, ndërsa theksoi se gazeta “do t’i mbrojë me vendosmëri këto të drejta”.
Kompania mediatike ka depozituar një padi federale në një gjykatë të distriktit të Kolumbisë, duke pohuar se qeveria po shkel të drejtat kushtetuese të gazetarëve. Sipas NYT, politika e Pentagonit “është pikërisht ajo lloj skeme kufizuese e fjalës dhe e shtypit që Gjykata Supreme dhe Gjykata e Qarkut të Uashingtonit e kanë cilësuar si shkelje të Amendamentit të Parë të Kushtetutës së SHBA-së”.
Sipas dokumenteve, Pentagoni u kërkoi gazetarëve të nënshkruanin një formular prej 21 faqesh, ku ata duhej të pranonin se nuk do të “nxisnin punonjësit qeveritarë të shkelin ligjin duke dhënë informacion konfidencial” dhe se nuk do të inkurajonin ndarjen e informacioneve “jopublike”.
Padia argumenton se këto politika të reja cenojnë lirinë e shprehjes dhe “synojnë të kufizojnë aftësinë e gazetarëve për të bërë atë që gjithmonë kanë bërë, të bëjnë pyetje dhe të mbledhin informacion nga punonjësit e qeverisë për të informuar publikun përtej deklaratave zyrtare”.
Ajo thekson gjithashtu se publikimi i çdo informacioni “që nuk është miratuar nga zyrtarët e departamentit” mund të sillte ndëshkime, pavarësisht nëse raportimi ndodh brenda apo jashtë territorit të Pentagonit dhe pavarësisht nëse informacioni është i klasifikuar apo jo.
Sipas padisë, ndryshimet në politikë “synojnë të kufizojnë në mënyrë thelbësore raportimin e pavarur mbi Pentagonin, duke i detyruar organizatat mediatike ose të vetëcensurohen, ose të largohen nga ambientet e Pentagonit”.
Shumica e organizatave kryesore të lajmeve në SHBA janë bashkuar në rezistencë kundër këtyre ndryshimeve. Në tetor, pesë rrjetet më të mëdha televizive deklaruan se kjo politikë “është e paprecedentë dhe kërcënon parimet thelbësore të gazetarisë së lirë”.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, deklaroi se politika “nuk kërkon pajtim me rregullat, por vetëm njohje të tyre”, duke shtuar se “reagimi i disa gazetarëve ka qenë i tepruar”. Sipas tij, këto masa janë ndërmarrë “për të mbrojtur trupat dhe sigurinë kombëtare të vendit”.
Një konferencë e fundit për shtyp në Pentagon u dominua nga figura të mediave të djathta dhe komentues që shihen si më besnikë ndaj administratës Trump, në vend të përfaqësuesve të zakonshëm të medias kryesore. /KosovaPress/