Balje: Vota ime është pro ndryshimit të ligjit për Specialen
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së, Hysni Gucati u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të votojnë plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke thënë se një veprim i tillë do të ishte në interes të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë.
Gucati, para fillimit të seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit, ku pritet të trajtohet Ligji për Specialen, tha se thirrja e tij nuk përbën kërcënim ndaj deputetëve, por kërkesë që ata të votojnë ndryshimet në ligj.
“Nuk është kërcenim për deputet e Parlamentit të votojnë ligjin, kanë mundësi të votojnë plotësim, ndryshim ligjin. Kisha bërë thirrje gjithë deputetëve të votojnë plotësim, ndryshim ligjin. Është në të mirën e tyre së pari, ju ndihmojnë shokëve dhe njerëzve tonë që i kemi në paraburgim në Hagë. Nuk e di pse të mos e votojmë këtë ligj e çka i pengon. Bëj thirrje, votoni ligjin, mos na nxirreni edhe neve problem. Dhe buxhetin, kuptohet për krerët e UCK-së”, tha Gucati.
Ai tha se çështja duhet të trajtohet përmes mirëkuptimit dhe pa përshkallëzim të situatës.
“Besoj se po do kalojë ligji. Ndoshta pak edhe qeveria po don të na mat impulsin neve, besoj se ligji do të kalojë, jo me trysni, por gjithmonë me mirëkuptim. Edhe Albin Kurti, Donika Gërvalla duhet me marr me mirëkuptim, nuk kemi nevojë të eskalojë situata. Boll Kosova ka kaluar situata të vështira”, tha Gucati.
Ky projektligj ka marrë mbështetjen e deputetëve në Komisionin për Legjislacion, ndërsa tani pritet të nis seanca e Kuvendit për shqyrtimin e Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Specialen. /KosovaPress/