• 28 May, 2022

ZKA-ja gjen mangësi në metodologjinë e vlerësimit të nxënëseve dhe moszbatim të kërkesave së kurrikulës

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit të  performancës “Vlerësimi i nxënësve në testet kombëtare dhe ndërkombëtare”.

Ky auditim përfshin periudhën 2018-2021 dhe ka pasur për qëllim që të vlerësojë nëse institucionet përgjegjëse kanë marrë masa për përmirësimin e mësimdhënies dhe vlerësimin e nxënësve në Kosovë.

Subjekt i auditimit kanë qenë Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) si dhe komuna e Prizrenit, Istogut dhe Novobërdës.

Rezultatet e këtij auditimi tregojnë se ka mangësi në metodologjinë e vlerësimit të nxënëseve dhe mos zbatim të kërkesave që dalin nga kurrikula. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Drejtoritë Komunale të Arsimit (DKA) dhe shkollat nuk kanë arritur të përmirësojnë metodat e mësimdhënies dhe vlerësimit në përputhje me kërkesat e kurrikulës dhe praktikat më të mira të nxjerra nga Agjencia Evropiane për Sigurimin e Cilësisë.

“Për rrjedhojë nxënësit vazhdojnë të marrin pjesë në orët e mësimit duke dëgjuar mësimdhënësit që ligjërojnë gjatë gjithë orëve të mësimit dhe aktivizohen vetëm në fund nëse kanë ndonjë pyetje si dhe vlerësohen përmes pyetjeve me përgjigje të shumëfishta.

Pavarësisht se procesi i vlerësimit në arsimin parauniversitar ka mangësi institucionet përgjegjëse (MAShTI, DKA-të dhe shkollat) nuk kanë ndërmarrë masa për evidentimin dhe përmirësimin e këtyre mangësive”, thuhet në raport.

Gjetjet e auditimit tregojnë se nxënësit kosovarë kanë arritur rezultate relativisht të mira në testet kombëtare mirëpo në testet ndërkombëtare, siç është PISA rezultatet e nxënësve janë shumë më të ulëta se mesatarja e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OBZhE) dhe më të ulëtat në rajon.

Po ashtu, institucionet përgjegjëse nuk e kanë kryer/bërë monitorimin e vlerësimit të nxënësve përgjatë gjithë vitit shkollor dhe metodat e përdorura nga mësimdhënësit.

“Ndërsa trajnimi i ofruar për mësimdhënësit nuk dihet nëse i ka plotësuar nevojat për të përmbushur kërkesat që dalin nga kurrikula, meqë gjysma e  mësimdhënësve të anketuar si pjesë e mostrës së auditimit kanë thënë se trajnimi për kurrikulën kombëtare ishte shumë i shkurtër (vetëm gjashtë ditë) duke pasur parasysh vëllimin dhe kërkesat e saj”, thuhet në raport.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, lidhur me këtë auditim ka theksuar se rezultatet e testit PISA janë shqetësuese.

Ajo theksoi se nxënësit në Kosovë po rezultojnë shumë ulët në krahasim me shokët e tyre në nivel global edhe pse në Testin e arritshmërisë qëndrojnë më mirë me rezultate, andaj sipas saj, kërkohen veprime të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse për adresimin e rekomandimeve të dhëna.

Duke marrë parasysh se arsimi fillor ka një rëndësi të madhe për të gjithë komunitetin dhe është një mekanizëm i fuqishëm për rritje të qëndrueshme ekonomike, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë 9 rekomandime për institucionet përgjegjëse për rregullimin e metodave të mësimdhënies dhe vlerësimit të nxënësve.

Për më shumë lexoni raportin e plotë të ZKA-së. 

/Telegrafi/

Read Previous

​Muja: Rritja e pagës minimale i synon rreth 120 mijë përfitues

Read Next

Ulëza, e dalë prej harresës falë investimeve të Rilindjes Urbane